Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, në një konferencë për media akuzoi LSDM-në dhe BDI-në se përmes, siç i quajti ai, strukturave të tyre të mbetura në sistemin gjyqësor, vazhdojnë t’i mbrojnë personat e përfshirë në raste kriminale.
Manasievski reagoi ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e aktgjykimit në rastin “Llaskarca”, aksident në të cilin humbën jetën 16 persona.
„Gjykata Supreme, përmes Afrim Fidani, Xhemali Saiti dhe Safet Kadriu, e shfuqizoi aktgjykimin për rastin ‘Llaskarca’. Edhe një herë, mbetjet e LSDM-së dhe BDI-së në gjyqësor vepruan në favor të tyre dhe i mbrojtën kriminelët“, deklaroi Manasievski.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen nëse gjykatësit që kanë marrë pjesë në vendimmarrje janë të afërt me strukturat e BDI-së.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Gjykata Supreme ka marrë vendim edhe në lidhje me rastin e kryetarit të Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, për të cilin partia pretendon se ishte dënuar me vendim të formës së prerë.
Manasievski e krahasoi situatën me rastin e spitalit modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, duke kritikuar faktin se, sipas tij, nuk është përcaktuar përgjegjësi adekuate nga organet e drejtësisë.
„Vendimet e fundit janë një konfirmim tjetër se përse besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor është në nivelin më të ulët. Instalimet politike të LSDM-së dhe BDI-së, të ndërtuara ndër vite, nuk zhduken brenda natës“, tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së.
Nga partia në pushtet deklarojnë se Maqedonisë nuk i nevojiten gjykata dhe prokurori që do të jenë bastion i partive politike, por institucione që do të jenë në shërbim të drejtësisë.
„Nuk do të heshtim dhe nuk do të heqim dorë. Duhet të ketë drejtësi dhe përgjegjësi“, përfundoi Manasievski.




