Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka refuzuar shtatë nga tetë ankimimet e Lëvizjes BESA, që kanë të bëjnë me parregullsitë që kjo parti ka hasur gjatë procesit zgjedhor. KSHZ ka pranuar vetëm një ankesë të Lëvizjes BESA, e cila ka të bëjë me parregullsitë në vendvotimin 0396/1 në Gostivar. Sipas Blerim Sejdiut nga Lëvizja BESA, parregullsia ka të bëjë me faktin që në vend të një gruaje nga Gostivari ka votuar dikush tjetër, ndërsa në procesverbalin ka qëndruar se gruaja tani më ka votuar dhe nuk është lejuar që përsëri të votoj.
“Unë duhet të ju shfaq atë se të gjitha ankesat janë paraqitur në afatin e paraparë. Të gjitha deklaratat, sepse në fillim thatë se deklaratat nuk do të pranohen, pastaj thatë që deklaratat nuk kanë vulë dhe nënshkrim, përveç një deklarate që si duket është një lëshim teknik i noterit, të gjitha deklaratat kanë nënshkrim dhe vulë, mund lirisht ti shikojnë edhe gazetarët. ”, ka deklaruar Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA.
Nga KSHZ u pajtuan që të thirret kryetari dhe anëtarët e këshillit zgjedhor dhe më pas të vërtetohet se çfarë ka ndodhur saktësisht atë ditë.
Ndërkaq ankesat për vendvotimet 2331/1 në Haraçinë, 1119/1 dhe 1112 në komunën e Likovës, 2339 në Orllancë të komunës së Haraçinës, 1105 në Opajë të Likovës, Ankesa për vendvotimet në Komunën e Gazibabës dhe komunën e Tetovës, u hodhën poshtë duke u shpallur si të pa baza. Parregullsitë që janë hasur nëpër këto vendvotime kanë të bëjnë me agjitim dhe nxjerje të fletëvotimit jashtë vendvotimit, votime familjare, presion ndaj votuesve, mos përputhje të rezultateve nga terreni me ato të publikuara nga KSHZ dhe të ngjashme.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor në debatin publik patën diskutime të ashpra, ku në një moment për shkak të debatit të ashpër, u ndërpre seanca për disa minuta. (Atmosferë)
Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe PDSH-së, nuk e pranuan asnjërën nga ankesat e parashtruara nga Lëvizja BESA, duke votuar “kundër “ në shtatë nga tetë ankimimet e parashtruara. Të vetmit që mbështetën 3 ankimime të Lëvizjes Besa ishin përfaqësuesit e LSDM-së në këtë komision.
Gjatë debatit në një moment, përfaqësuesi i PDSH-së Bedredin Ibrahimi, tha se nuk është i sigurt nëse dëshiron të votoj cilindo ankimim nga Lëvizja BESA.
“Ky është ligji kështu janë rregullat, kush si të dojë le të më kuptojë, me këto rregulla, Bedredin Ibrahimi nuk do të vendos dhe të miratojë diçka, tani për tani nuk jam i sigurt nëse duhet të votoj miratimin e cilitdo ankimim që është paraqitur nga Lëvizja BESA. Jo se është Lëvizja BESA edhe PDSH po të ishte…”, ka thënë i Bedredin Ibrahimi, përfaqësues i PDSH-së, në KSHZ
“Jo çfarë dua, por si të dua do të flas, do të flas për thelbin dhe jo për… kur të kalon kjo në bazë të detyrës zyrtare kur të kërkon ndonjë anëtarë atëherë do të flasim për indikacionet”, tha Subhi Jakupi, përfaqësues i BDI-së, në KSHZ.
Seanca e hapur vazhdon akoma, ku do të debatohet edhe për 8 ankimimet e LSDM-së. Të gjitha 16 ankimimet e Lëvizjes BESA dhe LSDM-së, iu referohen njësisë së dytë dhe njësisë së gjashtë zgjedhore, nga ku këto dy parti synojnë dy mandate me çka do të ndryshonte rezultati përfundimtar I zgjedhjeve të 11 dhjetorit.