Këtë javë, në rajon u mbyll një kapitull politik. Më 25 tetor, Aleksandar Vuçiq pësoi humbje në zgjedhjet në Serbi. Gjashtë ditë më vonë, Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën bankare Alta Bankës, institucion financiar i lidhur me bashkëpunëtorin e tij të afërt, Davor Macura.
Këto zhvillime janë një moment i rëndësishëm për të rikthyer vëmendjen te lidhjet dhe marrëdhëniet afariste që, sipas dokumenteve të bëra publike nga VLEN-i, kanë ekzistuar ndërmjet strukturave të afërta me pushtetin e Vuçiqit dhe njerëzve të afërt me BDI-në.
Më 9 qershor 2025, një kompani ku AS Senjak është bashkëpronar mori kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd.
Më 17 shtator 2025, aksionet iu shitën Alta Bankës. Vetëm gjashtë ditë më vonë, një komunë e udhëhequr nga BDI-ja i dha AS Senjakut dy kontrata me vlerë prej 90 milionë denarësh.
Kjo kronologji kërkon përgjigje të qarta. Nuk mund të mbetet pa u hetuar një zinxhir transaksionesh që përfshin kompani të afërta me figura të larta politike, ish-struktura të pushtetit dhe institucione financiare në Serbi.
VLEN-i i ka ngritur këto çështje që nga shtatori i vitit 2025 dhe dokumentacionin përkatës e ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ndërkohë, Ali Ahmeti dhe BDI-ja ende nuk kanë dhënë përgjigje për këto çështje.
Prandaj, kërkojmë:
– Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria Publike të hetojnë transaksionet e AS Senjakut me Sasho Mijallkovin dhe Alta Bankën, kredinë prej 5 milionë eurosh dhe kontratat e dhëna nga komunat e udhëhequra nga BDI-ja.
– Institucionet kompetente të kërkojnë nga autoritetet serbe të dhëna për të gjitha lidhjet e Alta Bankës me kompani nga Maqedonia e Veriut.
– BDI-ja të publikojë procesverbalet e takimeve të Bujar Osmanit dhe Ali Ahmetit me Vuçiqin dhe zyrtarë të tjerë serbë.
– Ali Ahmeti personalisht të sqarojë marrëdhëniet afariste të kompanisë së krushkut të tij me Sasho Mijallkovin dhe Alta Bankën, përfshirë kredinë dhe shitblerjen e aksioneve.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut meritojnë transparencë, përgjegjësi dhe politikë që vepron në interes të tyre.
Zhvillimet në Serbi i bëjnë edhe më të domosdoshme përgjigjet për lidhjet që prej kohësh kërkojnë sqarim. Heshtja nuk mund të jetë përgjigje ndaj pyetjeve që kanë të bëjnë me interesin publik.



