BDI, Dega në Dibër, ka reaguar pas prezantimit të punëve dhe projekteve të realizuara nga pushteti lokal, duke e cilësuar atë si përpjekje për përvetësimin e meritave të qeverisjes së kaluar.
Sipas BDI-së, prezantimi i mbajtur mbrëmë nuk ishte llogaridhënie para qytetarëve, por një aktivitet partiak, ku, siç pretendojnë, salla ishte mbushur me punonjës të administratës nën presion për vendet e tyre të punës.
Nga kjo parti thonë se disa prej projekteve të prezantuara, përfshirë asfaltimin e bulevardit, rrugën e Kërçovës dhe rrugët në Budulec, Kosovrast, Otishan e Konjarë, janë projekte dhe fonde të siguruara gjatë qeverisjes së mëparshme të BDI-së.
BDI gjithashtu pretendon se ujësjellësi në Mogorçë dhe projektet infrastrukturore nëpër fshatra janë procese të trashëguara, të cilat pushteti aktual po i paraqet si rezultate të mandatit të tij.
Në reagim, BDI-Dibër e ka sfiduar publikisht kryetarin e Komunës, Fisnik Melën, që të publikojë të paktën një kontratë apo projekt kapital të nënshkruar gjatë mandatit të tij.
“Dibranët nuk mashtrohen me punët e huaja dhe as me fushata të sajuara!”, thuhet në reagimin e BDI-së.



