Në Dibër u zhvillua ceremonia e ndarjes së 47 banesave sociale për familjet përfituese, një projekt që synon të sigurojë kushte më të mira jetese dhe strehim të denjë për qytetarët.
Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, nga radhët e VLEN, tha se investimet në strehimin social paraqesin investime në dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ai falënderoi Qeverinë për mbështetjen ndaj projekteve zhvillimore në këtë komunë.
Gjatë ceremonisë u theksuan edhe investimet infrastrukturore që po realizohen në Dibër, ndër të cilat edhe ndërtimi i bulevardit të ri pranë banesave sociale, projekt me vlerë rreth 2 milionë euro.
Nga VLEN vlerësuan se projektet në fushën e strehimit, infrastrukturës dhe zhvillimit lokal janë dëshmi e një qeverisjeje të orientuar drejt rezultateve konkrete.
“Qeverisja matet me punë dhe rezultate konkrete. Banesat sociale dhe investimet zhvillimore janë pjesë e politikave që vendosin qytetarin në qendër”, u shprehën nga VLEN, duke theksuar se pas 24 muajsh qeverisje synohet vazhdimi i projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve në komunat e vendit.



