BDI-ja sërish del të mburret me “sigurimin” e parave dhe projekteve, ndërsa qytetarëve u ofron të njëjtën histori që e kanë dëgjuar për 20 vjet.
Për dy dekada, BDI-ja premtoi projekte, paralajmëroi autostrada, projektoi rrugë dhe fliste për investime. Por në fund, qytetarëve u mbetën premtimet, ndërsa elitës partiake privilegjet.
Sot dallimi është i dukshëm.
VLEN nuk flet vetëm për projekte, VLEN i ndërton ato.
Po ndërtohet autostrada drejt Gostivarit.
Po avancon lidhja e autostradës drejt Kërçovës.
Ka nisur ndërtimi i lidhjes autostrada drejt Kosovës.
Po ndërtohet Korridori 8.
Ajo që për vite me radhë ishte vizatuar në harta, paralajmërohej në konferenca për shtyp dhe përdorej si premtim elektoral, sot është kthyer në kantier ndërtimi.
Derisa BDI-ja fotografohet, VLEN punon në terren.
BDI-ja sot thotë: “Ne i kemi siguruar paratë”.
Por qytetarët me të drejtë pyesin: Nëse gjithçka ishte siguruar, pse për 20 vjet nuk u ndërtuan këto projekte? Ku ishin ato para? Pse pjesa perëndimore e vendit mbeti për dy dekada me rrugë të ngushta, pika të rrezikshme, trase të papërfunduara dhe infrastrukturë që nuk i plotësonte nevojat e qytetarëve?
Për aq kohë sa BDI-ja ishte pjesë e çdo qeverie, projektet e mëdha infrastrukturore shpesh përfundonin në konferenca për shtyp, prezantime dhe premtime për tenderë. Ndërkohë, qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe komunave të tjera shqiptare prisnin investimet që u premtoheshin vit pas viti.
Sot situata është ndryshe.
Po ndërtohen bulevarde në Tetovë.
Po investohet në kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Po zhvillohen projekte infrastrukturore në Strugë.
Po ndërtohen rrugë, kanalizime, ujësjellës dhe infrastrukturë lokale në komunat ku jetojnë shqiptarët.
Ekskavatorët janë në terren, ndërsa BDI-ja është në konferenca për shtyp.
Ky është dallimi.
Për 20 vjet, BDI-ja u tregonte shqiptarëve se çfarë “ishte siguruar”, çfarë “do të fillonte”, çfarë “po planifikohej” dhe çfarë “do të ndërtohej”.
Sot qytetarët mund të shohin me sytë e tyre se çfarë po ndërtohet.
BDI-ja dëshiron tani të marrë meritat edhe për projektet që po realizohen sot. Por nuk mjafton të thuash se paratë janë siguruar. Paratë në letër nuk janë autostradë. Projekti në sirtar nuk është bulevard. Premtimi në konferencë për shtyp nuk është infrastrukturë.
Qytetarët nuk udhëtojnë mbi deklaratat e partive. Ata udhëtojnë mbi rrugët që ndërtohen.
Dhe pikërisht kjo është ajo që e shqetëson BDI-në: pas 20 vitesh premtime, sot ekziston mundësia që qytetarët të bëjnë krahasimin më të thjeshtë: çfarë u premtua atëherë dhe çfarë po ndërtohet sot.
VLEN ka premtuar se projektet do të realizohen dhe po i kthen ato në punë konkrete.
BDI-ja la pas dosje dhe premtime. VLEN po lë pas rrugë, ura dhe projekte të realizuara.



