Sistemi “Safe City” është çështje e sigurisë publike, e mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe e vendosjes së rendit në komunikacion. Kur flasim për “Safe City”, nuk flasim për kamera apo gjoba, por për jetë njerëzish. Flasim për rrugë më të sigurta, për familje që nuk duhet të humbasin më baballarë, fëmijë apo motra për shkak të papërgjegjshmërisë së dikujt tjetër, kështu deklarojnë nga koalicioni VLEN.
Ata shprehën se qëndrimi i BDI-së, dëshmon edhe një herë se kjo strukturë nuk ka asnjë lidhje me interesin e përgjithshëm publik.
“Për ta, çdo vendim është pazar, çdo proces është llogari e brendshme, dhe asgjë nuk udhëhiqet nga parimet apo nevoja reale e qytetarëve. Rasti i “Safe City” e zbulon hapur krizën e thellë të brendshme në BDI. Një ditë deklarojnë se “në parim janë pro”, ndërsa ditën tjetër e rrëzojnë të njëjtin qëndrim. Kjo dëshmon rrëmujë politike dhe mungesë totale kontrolli. Është e qartë se Ali Ahmeti nuk e kontrollon më as grupin e tij parlamentar. Anija e tyre politike po fundoset. Sapo u aktivizua klika e vjetër, me Sadulla Durakun në krye, çdo pretendim për reformë u shua. E ashtuquajtura “risi” e BDI-së u zhduk në momentin kur foli e kaluara e tyre. Kjo është arsyeja pse kjo parti nuk mund dhe nuk përfaqëson interesin e shqiptarëve sot. BDI mbetet peng i njerëzve dhe mendësisë të së kaluarës, një mendësi që ka prodhuar krizë pas krize. Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, zgjedhin bllokadën. Kur kërkohet përgjegjësi dhe vendimmarrje, zgjedhin kaosin e brendshëm. Kur kërkohet llogaridhënie, kthehen te logjika e pazareve. Refuzimi i tyre për të mbështetur “Safe City” nuk ka të bëjë me përmbajtjen e projektit, por me frikën nga rendi, ligji dhe transparenca. Sepse aty ku ka rregull, nuk ka hapësirë për ndërhyrje, ndikim dhe lojëra prapa perdeve siç janë mësuar çdoherë”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Ata shtojnë se qytetarët duhet ta dinë qartë se problemi nuk është “Safe City”, por sipas tyre problemi është BDI.


