Në historinë më të re të Kosovës veprimtaria e mërgatës shqiptare paraqet një nga faqet më të ndritura dhe të pasura, me shembuj të mirëfilltë të bazuar në rolin fundamental të veprimtarëve dhe shoqatave kulturore, humanitare e patriotike që kanë nisur dhe promovuar projekte njohjeje, solidariteti dhe kooperimit internacional.
Pikërisht besimi që kanë krijuar në relacionet e tyre me shtresën e gjerë të mërgatës në raport me autoritetet italiane lokale si dhe me lidhjet e ngushta me përfaqësitë tona diplomatike në Republikën e Italisë, duke realizuar projekte të ndryshme interkulturale, bënë që të dallohet për të mirë si emërues i përbashkët Shoqata kulturore “Shën Nëna Terezë” e Trevizos me kryetarin e saj Bajram Desku.
Lista e veprimtarisë së kësaj shoqate dhe veprimtarëve të saj është mjaft e gjatë dhe plot shembuj të bashkëpunimit dhe përfaqësimit dinjitoz të vlerave humane dhe trashëgimisë pozitive të sjellur në Itali bashkë me familjet e ardhura në kohë të vështira para një çerek shekulli.
Në vitet e fundit veprimtarët të prirë nga kryetari Desku filluan edhe projektin e rëndësishëm të binjakëzimit të komunës Quinto di Treviso me komunën e Klinës në Kosovë.
Binjakëzimi nuk është thjesht vetëm union formal midis dy komunave me mundësi bashkëpunimi në fusha të ndryshme si politika, ekonomia, raportet tregtare. edukimi, etj.,por edhe i bashkon ato duke krijuar rrjete të marrëdhënieve ndërkombëtare duke shkëmbyer të dhëna të ndryshme dhe raporte të bazuara në bashkëpunimin biznesor, industrial, turistik, demografik, etj. duke forcuar edhe lidhjet e mërgatës me dy realitetet komunitare.
Lidhja midis dy komunave ka shkuar duke u forcuar me njohje dhe vizita të ndërsjella saqë në komunën e Quintos, shpesh flitet për binjakëzimin dhe pranohet si i kryer në pritje të aktit të formalizimit zyrtar. Kjo ishte edhe motivi që udhëheqësia më e re e komunës Quinto di Treviso pas shkuarjes në Klinë në vitin e kaluar, kishte ftuar për vizitë njohjeje dhe bashkëpunimi një delegacion të komunës së Klinës të prirë nga kryetari Prof.dr. Zenun Elezaj me bashkëpuntorët e ngushtë z. Fadil Gashi kryetar i kuvendit komunal dhe drejtorin e financave z. Enver Berisha.
Të premten e kaluar me 12 prill 2025 në Villën komunale “Memo Giordani Valeri”, kryetari i Kuinto di Trevizo Ivano Durigon bashkë me nënkryetaren Cristina Veneziano dhe drejtorët Mauro Dal Zilio e Renzo Crosato, organizuan pritje zyrtare protokollare për delegacionin institucional nga Klina, duke falenderuar edhe kryetarin e shoqatës “Shën Nëna Terezë” z. Bajram Desku si promovues dhe organizator i projektit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të binjakëzimit.
Të dy kryetarët njëzëri shprehën vullnetin e tyre për ta bërë këtë lidhje bashkëpunimi sa më të qëndrueshme midis dy komunave edhe me shkëmbime kulturore, pakte miqësie dhe me binjakëzim.
Pas shkëmbimit të dhuratave të rastit dhe vizitës ndrtesës së vilës historike ku u mbajt ky takim ndërkomunal, falë bashkëpunimit me firmën Contarina SpA, një pjesë e delegacionit nga Klina vizitoi Impiantin për trajtimin e mbeturinave organike dhe vegjetale në Signoressa di Trevignano, ku u njoftuan me fazat e procesit të seleksionimit dhe rigjenerimit të mbeturinave dhe rolin e tyre në ruajtjen e ambientit të shëndetshëm.
Sipas protokollit të shtunen pasdite, vizita do të vazhdonte me aktivitete tjera të rëndësishme, kështu që paradite delegacioni nga Klina udhëtoi për në Padova ku u mirëpritën nga veprimtarët Gëzim Muçolli dhe Valdete LLumnica-Muçolli që jetojnë në këtë qytet.
Ata duke shfrytëzuar maksimalisht kohën që kishin në dispozicion i shoqëruan mysafirët në dy nga pikat kryesore të interesit kultural dhe turistik: vizituan Bazilikën e Shën Ndues (Sant’Antonio di Padova) dhe Universitetin e Padovës. Mysafirët nga Klina u njohtuan me historinë mbi tetëqindvjeçare të këtyre objekteve të çmuara të trashëgimisë historike si dhe me rolin që pati Padova gjatë historisë për Kosovën dhe Shqipërinë ku dallohen profesorët Leonik Tomeu nga Durrësi dhe Marin Beçikemi nga Shkodra të paraqitur në freskat e dyzet mendjendriturve në Aula dei Quaranta, si dhe për faktin se 340 vite më parë në Tipografinë e seminarit të kryepriftit Gregorio Barbarigo u shtyp libri “Çeta e profetnëvet” e të madhit Pjetër Bogdani nga Prishtina.
Pasdite delegacioni u kthye në Quinto ku në orën 16 me një moment simbolik plot kuptim u bë inaugurimi i një instalacioni që paraqet tabelën me emrin e Qytetit dhe logon e Quintos afër shtatores së bronztë të shenjtores Nënë Tereza e cila është ngritur aty qysh në vitin 2018 dhe është monumenti simbol i respektit të ndërsjellë dhe i integrimit të komunitetit shqiptaro-kosovar në Trevizo e më gjerë. Pllakën e zbuluan dy kryetarët e komunave dhe kryekonzulli i Republikës së Kosovës z.Diamant Kastrati nga Milano.
Ky manifestim vazhdoi me një program të pasur i udhëhequr nga organizatori z.Bajram Desku, ku folën dhe përshëndetën Kryetari i Quintos z. Durigon, pastaj kryetari i Klinës z. Elezaj , konzulli i nderuar z. Diamant Kastrati si dhe para se të fillonte programi artistik z, Desku përshëndeti dhe falenderoi publikisht sponsorët dhe afaristët që ndihmuan në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve kulturore: vëllezërit Albert Bashota dhe Sabit Bashota, Bedri Suka, Hetem Zogaj, Lirim Kolgeci, Smajl Gashi, Burim Obrazhda, vëllezërit Murat Bytyçi dhe Gazmend Bytyçi, Mursel Kodra, Hashim Raci, Rrahim Krasniqi, Ramiz Gashi, Sherif Asllani, Labinot Morina, Imer Berisha, Jahir Bytyçi (Jahatours), Elmi Vrenezi, Bekim Bajraktari, Bashkim Bytyçi, Xhevat Zemaj, Gëzim Desku dhe Vait Bytyçi.
Pastaj theksoi me respekt edhe emrat e veprimtarëve të dalluar për kontributin e tyre: Gëzim Muçolli, Hamit Kurti, Ramadan Rukolli, Bekim Spahiu, Njazi Pirku, Nazim Morina, Shefit Begaj, Musa Ahmetaj, Sulejman Gashi, Etleva Petriti, Ndue Kola, Samet Lika, Bashkim Haxhiaj, Gjemaj Ahmetaj, etj.
Punimet ambientale për vendosjen e pllakës i kanë kryer firmat ndërtimore “Bashota” dhe “Gashi” duke kontribuar në realizimin e sheshit “Shën Nëna Terezë”.
Programi artistik i dha një hijeshi dhe vlerë këtij manifestimi me interpretimin e këngëve shqiptare nga këngëtari i mirënjohur Gjin Shani dhe me vallet e pasura të koreografit Muamer Murtezani me nxënëset e shkollës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Quinto. Këngët dhe vallet i përcolli me tingujt e daulles artisti i ri Drilon Bashota i cili qysh në moshë të vogël është dalluar për talentin e tij dhe interpretimin ritmik me këtë instrument popullor.
Në mbyllje të këtij manifestimi ndërkomunal, konzulli z. Diamant Kastrati ofroi për të pranishmit një koktej rasti në nderim të pjesëmarrësve në këtë veprimtari të rëndësisshnme kulturore dhe integruese.