Po vijnë lajme të mira për të ardhmen! Microsoft parashikon që në të ardhmen, për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale, të gjithë do të bëhemi ‘shefa’ të punonjësve virtualë.
Kompania teknologjike parashikon shfaqjen e një lloji të ri biznesi, të ashtuquajturat |kompani të kufirit“ (frontier firm), ku punonjësit njerëzorë do të menaxhojnë agjentë autonomë të inteligjencës artificiale për të kryer detyra.
Microswft parashikon se të gjithë do të bëhen shefa të agjentëve.
“Me rritjen e numrit të agjentëve në fuqinë punëtore, do të shohim rritjen e shefit të agjentëve – dikush që ndihmon, delegon dhe menaxhon agjentët për të rritur ndikimin e tyre dhe merr kontrollin mbi karrierën e tij në epokën e inteligjencës artificiale“, thotë Jerard Spataro, një nga drejtuesit e Microsoft.
“Nga bordi drejtues deri te të gjitha pjesët e tjera të kompanive, çdo punonjës do të duhet të mendojë si një CEO i një startapi me agjentët në dispozicion“, shton Spataro.
Microsoft, i cili është një nga financuesit kryesorë të kompanisë OpenAI, krijuesi i ChatGPT, parashikon që çdo organizatë biznesi në pesë vitet e ardhshme do të bëhet një “kompani e kufirit”. Ata besojnë se këto entitete biznesi do të jenë “shumë më të ndryshme” nga ato që janë sot dhe do të jenë të organizuara rreth “inteligjencës sipas kërkesës”.
“Këto kompani do të rriten më shpejt, do të funksionojnë më shpejt dhe do të krijojnë vlerë më shpejt“, tha kompania.
Ata gjithashtu parashikojnë se shfaqja e një klase shefash të inteligjencës artificiale do të ndodhë në tre faza.
E para, çdo punonjës do të ketë një asistent virtual. Pastaj, agjentët e inteligjencës artificiale do t’i bashkohen grupeve si “kolegë digjitalë“ dhe do të kryejnë detyra specifike.
Më në fund, njerëzit do të përcaktojnë udhëzimet dhe detyrat për këta agjentë, të cilët do t’i kryejnë ato në mënyrë autonome, ndërkohë që shefat e tyre do t’i mbikëqyrin sipas nevojës.
Për shembull, në rolin e punonjësve në zinxhirin e furnizimit, “Microsoft” thotë se agjentët do të mund të kryejnë të gjitha detyrat logjistike, ndërkohë që njerëzit do të udhëheqin sistemin dhe do të menaxhojnë marrëdhëniet me furnizuesit.