VMRO-DPMNE ka ashpërsuar komunikimin me diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në vend. Kjo është vërejtur nga takimet e fundit që kreu i kësaj partie, Nikolla Gruevski bashkë me funksionarë të tjerë kanë realizuar me ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Norvegjisë. Këta të fundit janë interesuar si për procesin zgjedhorë ashtu edhe për hapat e mëtutjeshëm të VMRO-DPMNE-së, por në shumë pyetje ose nuk kanë marrë përgjigje, ose kanë marrë përgjigje me një dozë arrogance. Madje siç njoftojnë edhe zyrtarisht nga vetë VMRO, drejtuesit e kësaj partie kanë porositur ambasadorët se nuk kanë të drejtë të përzihen në punët e brendshme, por ju kanë thënë se këtu janë vetëm për të vëzhguar. Në pyetjen për planet për koalicionimin e mëtutjeshëm të VMRO-DPMNE-së, siç njoftojnë nga kjo parti, janë përgjigjur se koalicionet nuk varen vetëm nga VMRO-DPMNE, por edhe nga parti tjera politike, të cilat përveç vendimeve që duhet t’i sjellin brenda partisë, ka edhe ndikim nga faktorët tjerë të jashtëm.
“Në pyetjen e ambasadorit Bejli për çfarë faktorë të huaj bëhet fjalë, përgjigja ka qenë se të pranishmit nuk kanë autorizim që ta informojnë. Në pyetjen e ambasadorit Bejli se në atë këndvështrim mundet të ndihmojë, përgjigja ka qenë se nuk mundet të ndihmojë pasi që roli i ambasadorit është ta ndjekë gjendjen në vend dhe ta informojë shtetin e tij çfarë ndodhë. Në theksimin e ambasadorit se deri më tani ai shumë ka ndihmuar, i është shprehur falënderim për atë”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Në të më tej thuhet se ambasadori amerikan ka apeluar se është mirë që të “ulen gjakrat” e njerëzve që protestojnë dhe ka pyetur se cili do të jetë reagimi i VMRO-DPMNE-së ndaj vendimeve të KSHZ-së. Në këtë pyetje Bejli nuk ka marrë asnjë përgjigje, me arsyetimin se partia nuk është në mundësi që për momentin t’i përgjigjet, por as, siç thonë nga partia, të japin përgjigje hipotetike për atë se a do t’i respektojnë vendimet e KSHZ-së.
Një përgjigje të pazakontë ambasadori Bejli ka marrë edhe kur ka potencuar se SHBA është shtet mik i Republikës së Maqedonisë, edhe pse disa anëtarë të partisë sipas mendimeve të tyre nuk e ndajnë këtë mendim. Nga partia ia kanë kthyer se VMRO-DPMNE nuk ka dilemë rreth anëtarësimit në BE, NATO dhe marrëdhëniet me SHBA-në, por ajo nuk nënkupton që individë të caktuar të partisë ose shtetit nuk mund të shprehin pajtueshmëri me disa hapa të individëve të caktuar të SHBA-së.
Në takimin tjetër, euro-ambasadori Samuel Zhbogar, ka theksuar se Brukseli shprehë shqetësim për shkak të përdorimit të retorikës nga ana e disa personave të cilët kanë mbajtur fjalime gjatë protestave përpara KSHZ-së. Por, nga VMRO-DPMNE, kanë theksuar se përkrahin protesta të qeta dhe nuk përkrahin gjuhë të urrejtjes, por janë kundërpërgjigjur se Brukseli dhe bashkësia ndërkombëtare nuk kanë shfaqur këso shqetësime edhe në dy vitet e kaluara derisa mbaheshin protesta. Në lidhje me rrjedhën e mëtutjeshme të protestave, nga partia kanë deklaruar se “nuk mundet të parashihet se çfarë do të ndodhë, pasi që ka numër të madh të qytetarëve të revoltuar, gjë që nuk mundet të kihet parasysh dhe nuk mundet plotësisht të kontrollohen nëse institucionet nuk punojnë në bazë të ligjit.
Retorika edhe më e ashpër ka qenë në takimin me ambasadorin e Norvegjisë, Arne Sanes Bjornstad. Gruevksi dhe përfaqësuesit e partisë kanë theksuar se: “Në dy vitet e fundit në Maqedoni ka pasur përzierje serioze të përfaqësuesve të caktuar të bashkësisë ndërkombëtare në punët e brendshme të shtetit, edhe atë në punët e brendshme politike dhe ndërpartiake. Kjo praktikë e cila ka qenë e pranishme edhe në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore, duhet të ndalojë, kanë porositur në takim me ambasadorin norvegjez drejtuesit e VMRO-DPMNE-së”, thuhet në njoftimin zyrtarë të partisë.
Ky disponim negative ndaj ambasadorëve është pasqyruar edhe tek protestuesit para KSHZ-së që janë mbështetës të VMRO-DPMNE-së. Në një nga transparentat që mbanin në duar kishte edhe porosi të drejtpërdrejtë për ambasadorin amerikan: “Bejli hiqi duart nga Maqedonia”, shkruante në transparent.