Vazhdon të jetë aktiv zjarri në landfillin e Bushatit në Shkodër. Flakët kanë vijuar edhe gjatë natës, ndërsa janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikëseve.
Në terren janë angazhuar zjarrfikëset e Vaut të Dejës dhe të Shkodrës, të cilat po punojnë për neutralizimin e vatrës.
Prefektja e Shkodrës, Holta Duda tha mbrëmjen e djeshme se nuk ka asnjë rrezik për banesat në zonë.
Lidhur me këtë ngjarje ditën e djeshme reaguan edhe eksponentë të PD-së të qarkut Shkodër, duke e cilësuar situatën si një katastrofë të paralajmëruar dhe pasojë e keqmenaxhimit të mbetjeve.
Luçiano Boçi akuzoi qeverinë për mbingarkim të landfillit me mbetje nga disa qarqe dhe për dështimin e inceneratorëve, ndërsa hodhi dyshime se zjarri mund të jetë i qëllimshëm për të krijuar hapësira të reja depozitimi.
Sipas tij, situata ishte paralajmëruar më herët nga opozita dhe ekspertët, por nuk u morën masa.


