Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shprehur solidaritet dhe ngushëllime pas aksidentit tragjik të një helikopteri ushtarak italian të angazhuar në misionin EUFOR Althea në Bosnjë e Hercegovinë, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën sociale amerikane X, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, tha se është thellësisht i pikëlluar nga aksidenti tragjik me helikopterin ushtarak.
“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të lënduarit”, shkroi Nufi, duke theksuar se në këtë moment zie, Shqipëria qëndron pranë Italisë dhe Forcave të saj të Armatosura, në shenjë solidariteti të sinqertë dhe miqësie të thellë.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, shprehu pikëllimin e tij të thellë për aksidentin tragjik me helikopterin e EUFOR-it pranë Brçkos, në Bosnjë e Hercegovinë, që rezultoi me viktima.
Ai u shprehu ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave, si dhe qeverisë dhe popullit të Italisë, ndërsa të lënduarve u uroi shërim të shpejtë dhe të plotë.
“Në këtë moment të vështirë, Maqedonia e Veriut qëndron në solidaritet me Italinë, mikun dhe aleatin tonë në NATO, si dhe me të gjithë personelin e EUFOR-it të angazhuar për paqen dhe stabilitetin në Bosnjë e Hercegovinë”, shkroi Mucunski në X.
Ndryshe, sipas njoftimeve zyrtare, të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë lënduar pasi një helikopter ushtarak italian i misionit EUFOR u rrëzua në Brçko, në veri të Bosnjë e Hercegovinës, gjatë një operacioni rutinë.
MARKETING
<!–


