Gazetari Arbër Hitaj ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit, duke e cilësuar këtë veprim si një mesazh frikësimi me prapavijë politike.
Në reagimin e tij, Hitaj thekson se transferimi i një personi të paraburgosur apo të dënuar nuk përbën problem në vetvete, por ngre pikëpyetje për mënyrën se si, sipas tij, është kryer ky proces.
Hitaj shkon më tej, duke pretenduar se transferimi i Veliajt është një vendim me prapavijë politike, të cilin ia atribuon kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kjo lëvizje lidhet me deklaratat që Veliaj ka bërë publikisht.
Gazetari e konsideron situatën edhe si një sinjal frikësimi ndaj të tjerëve, ndërsa kritikon reagimet e disa deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët janë shprehur të habitur nga zhvillimet.
Reagimi:
Më në fund maska ra!
Transferimi i një personi të paraburgosur apo të burgosur nuk përbën asnjë problem në vetvete.
Por kur ky i burgosur izolohet dhe transferohet në errësirë të plotë, atëherë kemi të bëjmë me një dënim politik.
Edhe dikush që nuk merret fare me politikë e kupton qe kjo është me porosi politike të vetë Edi Ramës, për shkak të atyre që Veliaj ka thënë publikisht dhe jo vetëm.
Nuk e kuptoj pse lodhen kaq shumë; ky është thjesht një mesazh frikësimi ndaj të gjithë të tjerëve.
Ky teatri me deputetë të PS që janë habitur, është i bukur, por nuk meriton duartrokitje.
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>



