Moderatorja dhe influencerja Fjoralba Ponari ka reaguar në rrjetet sociale, duke ironizuar akuzat për abuzime me tendera ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe paketën e re fiskale të propozuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ponari ndalet te akuzat për Ballukun dhe te shifra prej 1 miliard eurosh që ajo akuzohet se ka vjedhur.
Ajo thekson se një njeriu që të shpenzojë 1 miliard euro i duhen 55 vite jetë, ku çdo ditë të shpenzojë 50 mijë euro.
“Dje po shihja deklaratën e Lalës për ish-numrin dy të qeverisë, që akuzohet për abuzime me tendera, deri në vlerën e 1 miliard euro. Një miliard euro. Njëshi me nëntë zero mbrapa. E di sa i duhet një njeriu që të shpenzojë 1 miliard euro? I duhen 55 vite jetë, ku çdo ditë të shpenzojë 50 mijë euro. Pa bërë asgjë, pa shtuar as edhe një cent në pasurinë e saj. 55 vite, ku ditën duhet ta ketë kuotën e shpenzimeve 50 mijë euro. Ejj…”, shprehet Ponari.
Krahas reagimit për çështjen e Ballukut, moderatorja ka kritikuar edhe propozimet e reja fiskale të qeverisë, duke ironizuar vendimin për rritjen e taksave.
“Me pafytyrësinë më të madhe, propozojnë taksa të tjera!”, shkruan ajo në rrjetet sociale, duke iu referuar paktës së re fiskale të propozuar nga kryeministri Edi Rama, e cila përfshin edhe taksimin e influencerave.
Kjo është parë edhe si shenjë hakmarrje e kreut të qeverisë ndaj tyre, të cilët kanë qenë në mbështetje të protestave që prej katër muajsh, ku kërkohet dorëheqja e tij.
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>



