Vendimi për kufizimin e marzhës për mbi 1000 produkte ushqimore dhe jo ushqimore ka nxitur pakënaqësi tek sektori tregtar i vendit. Nga Oda Ekonomike e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë kanë shprehur shqetësim lidhur me vendimet e djeshme të Qeverisë. Ata thonë se sektori tregtar ka paraqitur propozime specifike në Qeveri, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut, të cilat pasqyrojnë situatën reale dhe se ato synojnë të ofrojnë masa efektive për uljen e çmimeve, duke mos rrezikuar në të njëjtën kohë mbijetesën e ndërmarrjeve tregtare. Ata kanë kërkuar takim urgjent me kryeministrin për të diskutuar lidhur me masat në fjalë pasi që sipas tyre këto masa nuk do të jenë efektive për të dyja palët.
ODA EKONOMIKE E TREGTARËVE ME SHUMICË DHE PAKICË
“Oda e Tregtisë së Tregtarëve me Shumicë dhe Pakicë kërkon një takim urgjent me Kryeministrin dhe Ministrin e Ekonomisë dhe Punës, për të shqyrtuar pasojat e këtyre vendimeve dhe për të marrë parasysh propozimet e arsyetuara të kompanive të sektorit të tregtisë. Ky qëndrim i yni, nga burime jozyrtare, mbështetet nga të gjitha kompanitë që ushtrojnë veprimtari tregtare. Këto kompani punësojnë 4700 qytetarë dhe funksionimi i tyre është thelbësor për stabilitetin ekonomik të vendit”.
Ata vlerësojnë se vendimet e tilla shkaktojnë dëme të konsiderueshme për një numër të madh të subjekteve ekonomike që luajnë një rol kyç në zhvillimin e ekonomisë dhe se këto kompani përballen me pasiguri në investimet dhe aktivitetet e tyre të ardhshme.
Ditën e djeshme qeveria njoftoi se ka sjellur vendim për kufizimin e marzhës në tregtinë me shumicë dhe pakicë të 102 grupeve të prodhimeve ose të mbi 1000 produkteve ushqimore dhe joushqimore. Dhe atë: 5 % e e marzhës bruto të fitimit (MBF-së) në 8 produkte ushqimore bazë dhe atë qumështi, buka, mielli tip 400 dhe 500, vezët, vaji për ushqim, jogurti dhe kosi ose gjithsej tetë grupe të produkteve, 10 % e MBF-së së kufizuar të produkteve ushqimore ku përfshin grupin prej 55 produkteve ushqimore – mishi dhe përpunimet e mishit, sheqeri, produktet e qumështit, buteri, margarina, pemët dhe perimet, orizi, fasulja dhe brumërat, dhe kufizim prej 15 % të MBF-së për 39 produkte ushqimore dhe mjete për higjienë dhe atë te pemët dhe perimet e freskëta, detergjentet, ushqimet për foshnje, pampersat, sapuni, letra e tualetit etj. Ata thanë se vendimet do të hyjnë në fuqi ditën e ardhshme pas shpalljes së vendimeve në Gazetën zyrtare, ndërsa do të zgjasin deri më 30 prill.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/