Rritet në tre numri i të vdekurëve nga tragjedia familjare që ndodhi të shtunën në lagjen Butel të Shkupit. Sot në mëngjes, ka ndërruar jetë edhe njëra prej të plagosurave gjatë incidentit në të cilin 84-vjeçari me iniciale P.T. kreu vrasje brenda familjes, kanë njoftuar nga MPB, të cilët kanë dhënë edhe detaje të tjera nga kjo ndodhi.
“Më 1 korrik të vitit 2017 rreth orës 12:40 në Shkup, në rrugën “Ho Shi Min” në pronësi të personit P.T. (84) nga arsye të pavërtetuara deri më tani me pistoletën e tij “Bereta” me kalibër 7.65mm, të cilën e ka pasur me leje, ka shtënë një plumb në drejtim të bashkëshortes së tij P.T. (78) duke i shkaktuar lëndime në pjesën e fytit, ndërsa pastaj ka shtënë edhe drejt vajzës së tij L.S. (58) nga Shkupi , të cilës i ka shkaktuar lëndime në pjesën e kokës. Nipi i tij T.S. (32) me të hyrë në koridorin e shtëpisë, nga ana e P.T. është goditur në pjesën e kokës me çka për shkak të lëndimit të rëndë ka ndërruar jetë në vend ngjarje. Më pas, P.T. me pistoletë ka shtënë në kokën e tij dhe është vetëvrarë”
Nga MPB nuk kanë bërë të ditur akoma arsyet e kësaj tragjedie. Ndërkohë, e mbijetuara e vetme tash më, L. S., që është vajza e dorasit është akoma në rrezik për jetë.
“Nga ana e një mjeku nga Ndihma e shpejtë mjekësore është konstatuar vdekje tek T.S. dhe P.T. ndërsa L.S. dhe P.T. janë dërguar në Qendrën Klinike Shkup, për t’iu dhënë ndihmë mjekësore. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë edhe P.T. ndërsa L.S. edhe më tej ndodhet në rrezik për jetë”.
Me urdhër të Prokurorisë Publike, trupat e të vdekurëve janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Gjyqësore. Ndërkaq, po punohet në zbardhjen e rastit.
Teuta Buçi /SHENJA/

