Kryeministri Edi Rama ka vijuar të sulmojë sërish protestën dhe protestuesit në diën e 23-të të saj.
Rama ka shpërndarë një video nga protesta e sotme, gjatë fjalës së aktivistit të njohur dhe ish-luftëtarit të UÇK, Dritan Goxhaj. Goxhaj lexoi deklaratën e protestë me pikat për ndryshimin e gjendjes politike dhe krijimin e një sistemi të ri.
Sakaq, Rama në mënyrë indirekte me mbishkrimin e videos ku flet Goxhaj, e akuzon këtë të fundit për lidhje me Iranin. Kryeministri shton me ironi se nga kjo protestë PS do dalë më e fortë, kur t’u bien të gjitha puplat fallco flamigove.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit “intelektual” të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë….?¿
Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm
DEKLRATA E GOXHAJT NË PROTESTË:
Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, shpalosI kërkesat zyrtare dhe të panegociueshme të përpiluara pas propozimeve të marra nga qytetarët përgjatë më shumë se tri javëve të qëndresës.
Në fjalën e tij, Goxhaj deklaroi se kërkesa kryesore dhe e panegociueshme e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë.
Dritan Goxhaj: Përshëndetje të gjithëve ju që jeni në shesh dhe të gjithë atyre që nuk kanë mundur të vijnë këtu, por që janë me zemër, shpirt dhe mendje në shesh.
Sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës t’ju lexoj një deklaratë në emër të tyre. Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar protestimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht këtu dhe ata që na mbështesin, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
- Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
- Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
- Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
- Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
- Një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit.
Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare, deri në realizimin e tyre.


