Qëndruan për dy vite e gjysmë në burg, pa bërë asgjë të keqe dhe pa pasur asnjë faj. Besnik Ajdini, Fazli Osmani dhe Besnik Bajrami, janë tre nga katër personat për të cilët gjykata vendosi që të lirohen. Dhe pikërisht kjo ndodhi sot, gjashtë ditë pas verdiktit të gjykatës. Ata qëndruan për dy vite e gjysmë në qendën e paraburgimit të Shkupit, të akuzuar për terrorizëm, akuzë me të cilën 8 pjesëtarë të grupit të Kumanovës u dënuan me burg të përjetshëm, ndërsa pjesa tjetër me shtatë shekuj e gjysmë burg. Para burgut të Shutkës, kishin ardhur familjarët për të pritur më të dashurit e tyre. Të parët që vrapuan për përqafime, ishin fëmijët..
Të emocionuar që pas dy viteve e gjysmë nuk kanë parë më të afërmit e tyre, të liruarit nuk harruan pjestarët e tjerë të grupit. Besnik Ajdini uron që drejtësia të vijë në vend edhe për të dënuarit tjerë.
“Prej ditë parë kur jam këtu, e deri sot…drejtësia erdhi në vend. Por më vjen keq që shokët e mi mbetën atje mbrenda, që i takova këtu. Qe dy vjet e gjysmë që j, këtu, e ndjej veten shumë keq. Larg familjes, larg fëmijëve”, tha Besnik Ajdini.
Familjarët e të liruarit tjetër, Fazli Osmanit, me lot në sy e pritën lirimin e tij. Ai doli nga burgu, por babai i tij, Sulemani, është i dënuar me burg të përjetshëm. Osmani thotë se asnjëherë nuk e ka kuptuar se pse është arrestuar.
“Kur më kanë arrestuar, nuk e dij se përse jam arrestuar. Dy vjet kam qëndruar për kot në burg, nuk e dija se për çka më kanë akuzuar. Më akuzonin si ndihmës terrorist. Un s’kam pasur lidhje as me grupin e parë, as me grupin e dytë. Nuk i njoh hiç. As telefonata as hiç. Vetëm për telefonata kam qëndruar dy vite në burg. Edhe ato telefonata i kam me të familjes, asgjë s’kam folur për rastin e Kumanovës hiç. Patjetër rasti duhet të zbardhet, kush i ka bërë këto punë, edhe mua më kanë marrë në qafë, kam ndenjur dy vite për kot në burgje. Ishall-llah edhe tjerët sa më shpejtë dalin e lirohen”, tha Fazli Osmani.
Të liruarit paralajmërojnë se drejtësinë do ta kërkojnë deri në fund, duke kërkuar edhe dëmshpërblim për kohën sa kanë qëndruar prapa grilave.
Personi i katër që u shpall i pafajshëm nga gjykata, është Ibrahim Murtezani, i cili deri me datë 2 nëntor qëndroi në arrest shtëpiak. /SHENJA/

