Problem me ujin e pijshëm, me kanalizimin, infrastrukturën e dobët dhe deponitë e egra. Këto janë çështjet kryesore që i tangojnë banorët e Komunës së Likovës, e për këto probleme, kandidatët për kryetar të kësaj komune, në emisionin “Studio e hapur” u zotuan se do t’i zgjidhin.
Bekim Afuzi nga “Aleanca për Shqiptarët”, tha se kryefjala e politikës së tyre do të jetë transparenca ndaj qytetarëve, ndërsa tha se do të fillojnë me depolitizimin e arsimit. Për çështjen e ujit të pijshëm premtoi se të njëjtën do ta zgjidhin gjatë mandatit katërvjeçar.
BEKIM AFUZI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Pikësynimi jonë është që atë që e kanë nisur ata, ta mbarojmë për një kohë shumë të shkurtë. Gjatë mandatit tonë, katërvjeçar. Projekti i tretë është kanalizimi. Këta kanë filluar të bëjnë diçka, por edhe aty i kanë ndarë njerëzit, këta janë tonët, këta nuk janë”
Kandidati i PDSH-së, Bardhyl Destani u shpreh se ata fillimisht do t’u mundësojnë ajër të pastër banorëve të komunës së Likovës.
BARDHYL DESTANI, PDSH
“Atje ekziston një deponi e egër, por tek ne ndoshta e tërë komuna është një deponi e egër. Mendoj se ne fillimisht do të mundësojmë ajër të pastër. Do ta rregullojmë apo do të dislokojmë, do të jemi të kyçur drejtpërdrejt për bartjen e deponive. Në projektin tonë, dislokimi i mbeturinave apo do të jetë sa më larg fshatrave”
Kandidati i Lëvizjes BESA, Shaban Zendeli u zotua se me ardhjen e tyre në kry të komunës së Likovës do të ulin papunësinë në këtë rajon, duke krijuar vende të reja të punës. Ai gjithashtu tha se përpos sigurimit të ujit të pijshëm do të realizojnë edhe projekte tjera.
SHABAN ZENDELI, BESA
“Asfaltimi i rrugëve dhe rregullimi i trotuareve. Hapja e një rruge e fushës nga Ropalca deri në fshatin Novosellë. Meremetimi i rrugëve të dëmtuara. Ndriçimi publik funksional për të gjitha vendbanimet. Rregullimi i një deponie për hedhjen e mbeturinave”
Në emisionin “Studio e hapur” edhe pse ishte i ftuar, ka munguar kandidati i BDI-së, Erkan Arifi. Atij ju lexuan pyetjet që ishin përgatitur për t’ia parashtruar, ndërsa në mesin e tyre ishin edhe këto: Si është e mundur që përkundër faktit që 15 vjet BDI është në pushtet, fshatrat e Komunës së Likovës ende të ngelen pa ujë të pijshëm?
Dhe kur do t’i hapni pikat kufitare Llojan – Miratoc dhe Bellanoc – Stançiq?”
Enis Murtezi

