Seanca për rastin Fortesa2 u anulua, për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore të shefit te drejtorisë së pestë Goran Grujovski. Por edhe pse mbrojtja dorëzoi raport mjekësor për të arsyetuar mungesën e tij, Prokuroria Speciale dyshoi në vërtetësinë e dokumentit dhe tha se do të bisedojë me specialistin që e ka lëshuar raportin. Kjo pasi që në periudhën prej kur është nisur pushimi mjekësor i Grujovskit që është 24 prill, ai është vërejtur në hapësirat e Drejtësorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Prokurori i Speciales Trajçe Pelivanov tha se është vërejtur praktikë tek gjithë të dyshuarit ose akuzuarit nga shërbimi sekret për arsyetimin e mungesave dhe ikjen nga përgjegjësia me anë të raporteve mjekësore.
“Ne si prokurori publike e theksuam edhe në gjykatë se nga sjellja e deritanishme e Goran Grujovskit dhe të dyshuarve të tjerë, ose dëshmitarëve nga Drejtori për Siguri dhe Kundërzbulim,si dhe duke marrë parasysh se pas nisjes së pushimit mjekësor, Grujovski ka qenë prezent në rrethin e MPB-së, i thamë gjykatëses se do të kërkojmë të bëhet kontroll i sëmundjes së Goran Grujovskit dhe arsyetimin me të cilin ai mungoi nga seanca e sotme gjyqësore”, tha prokurori Trajçe Pelivanov.
Por avokatët mbrojtës kritikuan këtë qasje të Prokurorisë dhe thanë se Grujovski vuan nga një sëmundje kronike dhe nuk ka nevojë për dyshime dhe gjeneralizime për të gjithë të punësuarit në shërbimin sekret.
“Kundërshtimet e prokurorisë janë vetëm për të bërë presion ose për të krijuar kushte që të merren masa shtesë ndaj të akuzuarit. I akuzuari ka probleme serioze, kronike. Nuk është mirë që një jurist, një prokuror, të bëjë vlerësimin e raportit mjekësor”, tha avokati Petar Vasilev.
Prokurori i speciales tha se do të kërkojnë konstatim mjekësor për shëndetin e Goran Grujovskit në mënyrë që të dëshmohet se a është i aftë për të ardhur në gjykimet e ardhshme, gjithë kjo në interes të mbarëvajtjes së procesit i cili pati disa prolongime.
Trajçe Pelivanov njoftoi se deri më tani janë deklasifikuar një numër i madh provash të nevojshme për këtë proces, të cilat i ka nënshkruar Agim Nuhiu, pasi kohë më parë kjo ishte pengesë për nisjen e gjykimit. Por ende mungojnë edhe rregulloret ku figurojnë provat e klasifikuara të cilat tek duhet të deklasifikohen në mënyrë që të mund të përdoren në procedurën gjyqësore. Por Pelivanov beson se pavarësisht rrethanave, ka kushte për nisjen e gjykimit. Seanca e ardhshme është më 23 maj.
Në rastin Fortesa 2, specialja akuzon 7 të punësuar në DSK për shkatërrimin e mbi 2 mijë dokumenteve që kryesisht përmbanin të dhëna për pajisjet e shkatërruara për përgjim.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Shtyhet për më 23 maj seanca për rastin… by tvshenjaofficial