Gjuha shqipe përveç se nuk e gëzon rolin e gjuhës zyrtare në Maqedoni, shumë herë ajo është edhe “viktimë” e përdorimit jo të drejtë të saj, madje edhe kur ajo përdoret nga institucione shtetërore dhe institucione serioze. Edhe ato institucione që përdorin shqipen, nuk respektojnë standardet e rregullave gramatikore dhe drejtshkrimore.
Dëftesa që shihni në ekran, edhe pse buron nga një institucion arsimor, ka një sërë gabimesh drejtshkrimore edhe pse do të duhej të ishte shembull për të kundërtën.
Në përshkrimin e suksesit të nxënësit, ka lëshime tek ë-jat fundore, në pjesën më të madhe të tekstit nuk është përdorur hapësirë pas presjes dhe fjalët janë të ngjitura si dhe nyja “i” është shkruar me shkronjë të madhe.
Fjala “di” disa herë është përdorur “din”, që është formë e gabuar sipas standardeve të gjuhës shqipe. Në këtë dëftesë, trupat gjeometrik janë shndërruar në trupa “gjeometrik”, instruksionet e mësuesit në “instruksione” e kështu me radhë. Madje, është gabuar edhe gjinia në fund të fjalisë. Nxënësit mashkull i atribuohet përemri pronor “e saj” në vend se “i tij”.
Gabimet skandaloze me përdorimin e gjuhës shqipe vazhdimisht përsëriten. Më të theksuara kanë qenë ato në librat shkollorë, për të cilën është alarmuar opinioni dhe është kërkuar llogari nga ish ministrat e Arsimit disa herë.
Teuta Buçi /SHENJA/
Shqipja shtrembërohet edhe nga institucionet… by tvshenjaofficial

