Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qyteti i Shkupit kanë paralajmëruar sot masa të reja kundër ndotjes së ajrit. Numri një i Ambientit Jetësor, Sadulla Duraku tha se deponitë ilegale dhe ndotja e ajrit janë dy çështje kritike dhe se për zgjidhjen e tyre nevojitet bashkëpunim më i ngushtë mes Qeverisë, ministrive, OJQ-ve dhe mediave. Ai tha se masat që planifikohen të ndërmerren në këtë drejtim janë të shtrenjta por duhet të parashihen në buxhetin e shtetit, që të ulet ndotja e ajrit.
“Subvenciomi i filtrave nëpër institucione, subvensionimi i pastruesit të ajrit nëpër institucione specifike; çerdhe, shkolla, spitale, do të vazhdojmë të kërkojmë nëpër ndërmarrje vendosjen e filtrave që të marrin lejen integruese A, do t’i stimulojmë për vetura elektrike, do të rrisim inspektimin dhe kontrollin nga inspektoratet e shtetit. Këto janë disa masa sugjeruese dhe do i harmonizojmë edhe një sëri masash tjera me pushtetin lokal”, ka deklaruar Sadulla Duraku, Ministër i Ambientit Jetësor.
Ndërkohë, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, deklaroi se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme do të inicojnë ndryshim të ligjit me të cilat gjatë kontrollit teknik të automjeteve që të mund të vlerësohet çdo automjet në mënyrë ekologjike dhe të merr etiketë. Në këtë mënyrë, sipas tij, në mënyrë administrative autoritetet e qytetit do të përjashtojnë automjetet që ndotin ajrin.
“Ashtu siç do të rritet ndotja e ajriit do të vendosim rritje graduale të çmimit të parkimit dhe ulje të çmimit të transportit publik. Ideja është që të stumulojmë qytetarët që të shfrytëzojnë më tepër transportin publik gjatë atyre ditëve për të mos paguar parking më të shtrenjtë që në fund të vijmë në një çmim absolut të lartë të parkingut në zonën qendrore të Qytetit të Shkupit në raport me transportin falas publik gjatë ditëve kur ndotja e ajrit është kritike”, tha Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Ministri i Ambientit Jetësor dhe zëvendësministri, Sadulla Duraku dhe Jani Makraduli kanë realizuar sot mbledhje me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe me kryetarët e komunave të rajonit të Shkupit për ndotjen e ajrit në kryeqytet. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe përfaqësuesja e UNDP-së në Shkup, Luiza Vinton, e cila deklaroi se Shkupi duhet të jetë i njohur për më shumë gjëra pozitive dhe jo si njëri ndër qytetet më të ndotura në Evropë.
Teuta Buçi /SHENJA/

