Është shkarkuar drejtoresha e spitalit për fëmijë “Kozle” Karolina Simonovska dhe në vend të saj tashmë në udhëheqje të spitalit do të jetë Katerina Boshkovska. Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se Boshkovska është pjesë e ekipit në këtë institucion për dy dekada.
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
“Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se drejtor i ri i Qendrës për sëmundje të frymëmarrjes te fëmijët në Kozle është emëruar Prof. Dr. Katerina Boshkovska, e cila është pjesë e ekipit në këtë institucion për mbi njëzet vjet.Dr. Boshkovska është subspecialiste e pneumologjisë pediatrike”.
Ish drejtoresha e “Kozlës” Simonovska ditën e djeshme njoftoi se ka ndaluar që emri, mbiemri dhe statusi I saj profesional të publikohen në media. “Rezervoj të drejtën të marr të gjitha masat ligjore për çdo tentativë manipulimi apo përdorimi të paautorizuar të emrit dhe mbiemrit tim”, thuhej në njoftimin e saj.
Me muaj të tëra në Ministrinë e Shëndetësisë janë parashtruar ankesa nga të punësuarit në klinikën e fëmijëve në “Kozle” për ish drejtoreshën Simonovska. Ata ankoheshin për shumë çështje si shkarkimi i ekspertëve, lënia e ekipeve me mjekë të rinj, menaxhim joadekuat, shkelje e procedurave, keqpërdorim i burimeve, sjellje të papranueshme, ngacmime psikologjike dhe trillime.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/