Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë dobësish në funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, përfshirë mungesën e inspektorëve, problemet me digjitalizimin dhe parregullsitë në menaxhim, transmeton 4news.mk.
Gjatë vitit 2024 janë realizuar 28.263 kontrolle nga vetëm 148 inspektorë, ose 47 për qind e vendeve të sistematizuara të punës. Sipas auditorëve, mungesa e stafit vështirëson realizimin e plotë të kontrolleve dhe kompetencave ligjore.
Probleme janë evidentuar edhe me sistemin “E-inspektor”, i cili nuk ishte vënë plotësisht në funksion.
Gjendja është veçanërisht shqetësuese në sektorin e sigurisë së produkteve, ku nga 14 vende të parashikuara ishin plotësuar vetëm pesë. Nga viti 2022 deri më 2025, pas analizave laboratorike, 40 produkte janë tërhequr nga tregu i Maqedonisë së Veriut.



