Shitësit e Bit Pazarit ndjehen të tradhtuar nga ndërmarrja “Skopski Pazar”, e cila i ka detyruar të blejnë dyqanet e tyre edhe atë me çmime të larta. Shitësit thonë se ndërmarrja po shkel premtimin se dyqanet nuk do të shiten por do të vazhdojnë të jepen me qera. Përmes protestave si kjo e sotmja, ata i kundërvihen ultimatumit të ndërmarrjes “Skopski Pazar”, i cili, siç thonë shitësit, u rrezikon bukën e gojës.
TREGTAR
I kemi pasur, 30 vjet dyqanet, sot çohet azgani edhe thotë unë e blej, e shes.
TREGTAR
Ne kemi dhënë votë për me na dhënë bukë, jo për me na marrë bukën.
TREGTAR
Ne speca shesim , o vlla nuk shesim dukat, 30 mijë – 40 mijë euro nuk mund ti gjejmë, sa i duhen pare atij ne nuk mund t’i gjejmë.
Me këto fjalë, tregtarët e Bitpazarit, protestuan sot për të mbrojtur kafshatën e gojës. Kjo si rezultat i afatit që u është dhënë nga autoritetet që nëse deri të hënën nuk dëshirojnë t’i blejnë dyqanet që i posedojnë me qera, atëherë do duhet t’i lëshojnë ato.
TREGTAR
Ne kemi dalë të protestojmë sot për kafshatëne bukës, ato e dinë më mirë, edhe tu jap lajm deputetëve në parlament sot, pavarësisht se të kujt janë a të Tetovës a të Gostivarit, a të Strugës, ato të na mbrojnë nevel.
Edhe më e trishtueshme, është çmimi që u kërkohet për një metër katror.
TREGTAR
5 500 euro për një metër katror, unë sjam në gjendje, unë shtëpi skam e të hyj të blej dyqa jo Vallahi, speca jemi tu shitur o vlla, speca jemi tu shitur, nuk shes kerre e të hy të blej, kush të dotë le të blejë, unë nuk blej dyqan por kafshatën e bukës mos ma preke.
TREGTAR
I kemi pasur, 30 vjet dyqanet, sot çohet azgani edhe thotë unë e blej, e shes, ja unë kamë dëshminë tjetër, se para pesë ditëve ma kanë dhënë.
Tregtarët thonë se më herët u është premtuar që dyqanet nuk do të shiten. Madje ata thonë se kjo ndodh vetëm me Bitpazarin, dhe jo me tregjet tjera të Shkupit.
TREGTAR
Asnjë pazar nuk është prek, vetëm Bitpazarin vijnë me e shit. Ku e gjetën bash Bit pazarin me e shitur, a ka kuptim kjo. Kjo është me emër, histori është. Nëse nuk mbrohet ky Bitpazar sot, atëherë bëhen banesa, ndërtesa bëhen këtu.
TREGTAR
Pse nuk shiten pazaret tjera, çka është puna me këtë Pazar. Fukaraja këtu është duke e nxjerrë një kaçore buk atra, huxhum këtu kanë bërë, ato më mirë le të na hedhin në Vardar sesa të na bëjnë këtë që duan ta bëjnë. Fjala ishte për ta marrë për ta rregulluar, ne paguajmë paushall, paguajmë tatim.
Tregtarët kërkojnë mbështetje edhe nga Qeveria, pasi, siç thonë, ata Qeveria u ka premtuar jetë më të lumtur dhe jo të këtillë.
TREGTAR
Kryeministri i ri tha jetë më të luimtur do të keni, ku është kryeministri?
TREGTAR
Bënu zotni si në perëndim bëni popullin zotni jo paçavër
Siç thonë tregtarët, atyre nuk ju intereson politika, por vetëm zgjidhja e problemit të tyre. Ata thonë se protesta e sotme ishte vetëm fillimi, ndërsa, nëse autoritetet nuk tërhiqen nga ky vendim, atëherë do të vazhdojnë edhe në mënyrë më masive të protestojnë para të gjitha institucioneve të shtetit.
TREGTAR
Çka të bëjë unë vetëm aty në dyqa të vdes.
TREGTAR
Unë më mirë të vdes këtu sesa të vdes nga uria në shtëpi, pikë!
/Mefail Ismaili

