Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane dhe nuk ka vend në Bashkimin Evropian (BE), e as në vendet kandidate për anëtarësim në këtë bllok.
Kështu është shprehur Komisioni Evropian, në përgjigje të një pyetjeje të gazetës “Vijesti” se si e komentojnë mesazhet e disa politikanëve lidhur me vdekjen e Ratko Mlladiqit, përmes të cilave glorifikohet krimineli i luftës.
“Ratko Mlladiq po vuante dënim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Srebrenicë. Ai ishte kriminel lufte”, deklaruan nga Komisioni Evropian.
Komisioni Evropian rikujton se Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e shpalli Mlladiqin fajtor dhe e dënoi me burgim të përjetshëm në vitin 2017, ndërsa ky vendim u konfirmua në apel nga Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale në vitin 2021.
Reagime të ngjashme ka pasur edhe viteve të kaluara. Këshilli i Evropës – 19 nëntor 2021 u bëri thirrje autoriteteve serbe të hiqnin muralin e Ratko Mlladiqit në Beograd dhe të merrnin masa të forta kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës.
Edhe Parlamenti Evropian, më 11 korrik 2023 konstatoi se po rriteshin tendencat e mohimit të gjenocidit, narrativat e rreme dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës. /SHENJA/
The post (VIDEO) Reagimet pas vdekjes së Mlladiqit, Komisioni Evropian kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës appeared first on TV-SHENJA.


