Reformat në media, ishin temë diskutimi në takimin e kryeministrit Zoran Zaev, me ish ndërmjetësin evropian në bisedimet për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Piter Vanhoutte, si dhe me përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.
Në komunikatën e dërguar nga ana e Qeverisë, thuhet se në takim të gjitha palët janë pajtuar se mediat janë ndër themelet më të rëndësishme të një shoqërie demokratike, për të cilën, siç thuhet në komunikatë, Qeveria e Maqedonisë është përcaktuar ta ndërtojë.
Kryeministri Zoran Zaev, ka thënë se Qeveria e Maqedonisë, po punon në mënyrë aktive me qëllim që të gjinden zgjidhje të shëndosha afatgjate, sistematike në sferën mediatike dhe sipas praktikave më të mira evropiane.
“Jemi hapur për të gjithë procesin reformues, dhe kjo vlen edhe për reformat mediatike. Konsultohemi me të gjithë opinionin e ekspertëve. Jemi konsultuar me sekorin civil, do ta kyçim edhe opozitën. Qëllimi ynë është që të sigurojmë RTVM-në që të jetë servis publik, punë profesionale të Agjencisë për Shërbime Audio dhe audio-vizuele, si dhe kushte për punë objektive dhe të balancuar të të gjitha mediave tjera, sepse në interes të të gjithë qytetarëve është që të jenë të informuar në kohë dhe në mënyrë të saktë.”, ka thënë Zoran Zaev, kryeministër.
Nga ana e ekspertit Vanhoutte dhe përfaqësuesit e SHGM-së është përshëndetur iniciativa e Qeverisë, që reformat mediatike të jenë mes prioriteteve në procesin reformues.
Vanhoutte ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që Qeveria e kupton rolin e rëndësishëm të mediave në demokraci, të cilat siç ka thënë ai, dëshiron ti sheh edhe BE-ja.
Ai ka theksuar se Maqedonia është në fund të listës sa i takon lirisë së mediave në raportet e të gjitha institucioneve dhe organizatave relevante evropiane dhe botërore. Kjo sipas tij, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik deri më tani, që të sigurohet liria e shprehjes, gazetaria profesionale dhe mbrojtja e gazetarëve.
Përfaqësuesit e SHGM-së, Naser Selmani dhe Dragan Sekullovski, i kanë treguar qëndrimet e SHGM-së dhe të opinionit të gjerë mediatik me të cilët janë në kontakt, sa i përket çështjeve konkrete të lidhura me reformat e parapara në media. Ata kërkuan që veçanërisht t’i kushtohet rëndësi mbrojtjes së gazetarëve nga dhuna që shkaktohet nga ana e institucioneve shtetërore, si dhe nga presioni nëpërmjet proceseve gjyqësore jotransparente.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Qeveria nis negociatat me SHGM-në për reformat… by tvshenjaofficial

