Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë së përhapjes së zjarreve, Qeveria në mbledhjen e fundit i angazhoi administruesit me pyje shtetërore, sipas Ligjit për Pyjet, që të shpallin ndalesë për lëvizje në pyje. Ndalesa vlen nga e hëna, 17 korrik. Siç informon shërbimi për informim i Qeverisë, ndalesa vlen edhe për lëvizje në rajonet kombëtare të mbrojtura Jasen, Mavrovë, Koddra e Diellit dhe Pelister. Në zonën e Vodnos, ku nuk ka ndalesë për lëvizje, janë paraparë kontrolle të rregullta.
Meqenëse nga 17 korriku e deri më 25 korrik të gjitha rajonet në vend: Shkupi, Osogovë-Malishevë, rajoni i Pollogut dhe Ohër-Prespë do të jenë në fazën e portokalltë qeveria informoi se vazhdojnë rekomandimet e ministrisë së shëndetësisë për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta.
QEVERIA
“Qeveria rekomandon lirim nga detyrimet e punës për grupet më të cenueshme të popullsisë, si: gratë shtatzënat dhe personat mbi moshën 60 vjeçare, angazhimet e punëve të të cilëve nuk mund të kryhen përmes punës online”.
Në ambientet për kujdesin e fëmijëve (kopshtet për fëmijë) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit duhet të ofrojnë ndihmë për personat e vetëm, të moshuar, të pafuqishëm dhe të pastrehët;
Qeveria po ashtu i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës për të mbrojtur punëtorët nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, para së gjithash duke shmangur qëndrimin në ambient të hapur në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
QEVERIA
“Të gjitha subjektet juridike që kryejnë veprimtari në ambient të hapur, të ndërpresin veprimtarinë e tyre në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00, e kjo veçanërisht vlen për punën e punonjësit e ndërtimit”
Qeveria ka vendosur që këto masa të zgjasin 9 ditë, nga data 17-25 korrik, deri në marrjen e vendimeve të mëtejshme. /SHENJA/