Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për 18 të akuzuar për vepra të ndryshme penale përshirë Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin, Gordana Jankullovskën, Mile Janakievskin, Martin Protugjerin, Goran Grujovskin, Dragan Pavlloviç Llatasin, Ejup Alimin, Ismet Gurrin e të tjerë. Akuza janë ngritur për rastet “Titanik”, “Tortura”, “TNT”, “Thesari”, “Tenderi”, “Toplik”, “Tanku”, “Tarifa”, “Tifani”, “Totali”, “Treqind”, “Traektorja”, “Trust”, “Lëndina”, dhe Target.
Nga gjithësej 20 raste që i ka hapur deri më tani Specialja, vetëm për 18 raste janë ngritur 17 akuza, pasi dy rastet e përgjimit “Target” dhe “Fortesa” janë bashkuar.
“Deri më sot, arritëm të ngrejmë gjithë akuzat për të cilat kemi vlerësuar se kemi prova të forta. Kjo në numra paraqet 17 akuza për 18 lënd kundër 94 personave fizik dhe 7 personave juridik. Serioziteti dhe volumi i këtyre lëndëve mund të shihet nëpërmjet faktit se bëhet fjalë se keqpërdorime serioze të kapaciteteve të institucioneve si nga ana e individëve ashtu edhe nga grupe të caktuara. Keqpërdorim të pozitës zyrtare por edhe të procedurave ligjore për furnizime publike”, deklaroi Katica Janeva, prokurore publike speciale.
Përjashtim janë rastet “Talir” për financimin e paligjshëm të VMRO DPMNE-së dhe “Tabela” për tenderin e paligjshëm të destinuar për ndërtimin e një shkolle fillore në Zajaz të Kërçovës pasi Prokuroria Speciale tha se hetimet do të zgjerohen dhe do dalin edhe zyrtarë të lartë të përfshirë në tenderin e paligjshëm.
Gruevski, Jankullovska , Janakievski dhe Protugjer akuzohen për krim zgjedhor në rastin “Titanik”. Për Ismet Gurrin dhe Ejup Alimin kërkohet paraburgim pasi akuzohen për shkatërrim të materialit zgjedhor.
Llatasi akuzohet për evazion fiskal në rastin “Totali”.
Ndërsa Sasho Mijallkov, Goran Grujovski dhe Gordana Jankullovska për përgjimin masiv të paligjshëm dhe shkatërrimin e pajisjeve me të cilat është bërë përgjimi.
Gjithësej të akuzuar janë 94 persona, por deri më tani është vlerësuar se vetëm 18 persona ka gjasa të ikin nga shteti ose të ndikojnë në dëshmitarë ose prova.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
PSP me 17 aktakuza për 18 raste, 94 të dyshuar… by tvshenjaofficial

