Pushteti duket se po hakmerret ndaj të gjithëve që marrin pjesë në protestë dhe janë të lidhur në punë apo pagesa me institucionet ligjërisht.
Një prej tyre është edhe kampioni ballkanik i atletikës, David Nikolli.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin TikTok me video, ai denoncon “maskarallëkun e radhës”, pushimin nga puna shtetërore, vetëm pse mori pjesë në protestën kombëtare që po mbahet para kryeministrisë.
Edhe më parë Nikolli ka denoncuar reprezaljet financiare apo me mosnjohje titujsh të autoriteteve shtetërore.
“Titujt e mi nuk më njihen, mora vesh se dje më është hequr edhe e drejta shtetërore, sepse kam dalë të protestoj për të drejtat tona. Vetëm ditë më parë mora medaljen e radhës. Sot, më shumë se kurrë duhet të jemi në shesh të gjithë bashkë”, thotë ai mes të tjerash.
Ai ka 8 medalje dhe ka vendosur 12 rekorde në atletikë.
Reagimi i plotë i David Nikollit:
“Jam këtu për të denoncuar maskarallëkun e radhës që mbahet këtu nga pushteti në Shqipëri.
Unë si kampion që kam përfaqësuar vendin tim me krenari dhe kam dhënë gjithçka në sport, po përballem me padrejtësi.
Jam kampion i Ballkanit me 8 medalje, kam 12 rekorde kombëtare, dhe vetëm pak ditë më parë fitova kampionatin kombëtar shqiptar në dy gara.
Më hiqet puna shtetërore dhe nuk më njihen titujt sepse kam dalë të protestoj me të rinjtë si qytetar i lirë.
Këto padrejtësi ndaj meje dhe ndaj të rinjve do të dënohen ligjërisht bashkë me avokatët e mi. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtat e mia.
Mos u shqetësoni, koha do t’i rregullojë të gjitha. Njerëzit e lirë nuk mund të frikësohen”.


