Rasti i fundit, ku SPAK ka lëshuar urdhër arresti për kreun e SHISH, Vlora Hyseni ka marrë vëmendjen e mediave të huaja. Agjencia e lajmeve “Reuters”, teksa citon SPAK thotë se ka vendosur “arrest shtëpi” dhe pezullim nga detyra për Hysënin nën dyshimin për nxjerrje të informacionit të klasifikuar, në kuadër të një hetimi më të gjerë për korrupsion.
Vlora Hyseni, me origjinë nga Kosova, drejton SHISH-in që prej vitit 2023. Përpara këtij posti, ajo ka shërbyer si zëvendësdrejtuese e shërbimit inteligjent në Kosovë.
“Sipas prokurorëve, Hyseni dyshohet se ka nxjerrë informacion të klasifikuar te persona të paautorizuar në lidhje me një çështje korrupsioni në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që administron shërbimet publike digjitale dhe infrastrukturën IT të Shqipërisë. SPAK e ka hetuar prej kohësh këtë çështje”, shkruan Reuters, që thekson se “nuk ka mundur që të kontaktohet me Hysenin”.
Hetimi për AKSHI-n
Sipas Reuters, një numër zyrtarësh shtetërorë dhe biznesmenësh janë arrestuar ose po hetohen për dyshime mbi keqpërdorimin e fondeve publike në AKSHI.
SPAK, i cili heton rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, tha se masat ndaj Hysenit janë miratuar nga gjykata kundër korrupsionit për t’i hapur rrugë vijimit të hetimeve.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklaroi se e ka liruar menjëherë Hysenin nga detyra dhe se, në konsultim me Presidentin e Republikës, do të emërojë drejtuesin e ri të SHISH.
“Të gjithë janë të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, por askush nuk është mbi ligjin”, shkroi Rama në rrjetin social X.
Një tjetër goditje për qeverinë Rama
Agjencia Reuters e cilëson zhvillimin si një tjetër goditje për qeverinë e Edi Ramës.
Reuters rikujton se në shkurt, Rama shkarkoi zëvendëskryeministren Belinda Balluku pasi ndaj saj u ngritën akuza për korrupsion. Më vonë, Parlamenti nuk votoi për heqjen e imunitetit të saj për t’i hapur rrugë arrestimit.
Agjencia thekson gjithashtu se “zyrtarë të Bashkimit Europian i kanë thënë Reuters se po e ndjekin nga afër mënyrën se si qeveria Rama po trajton çështjet e korrupsionit”.
The post SPAK urdhër arresti për Vlora Hysenin, “Reuters”: Tjetër goditje për qeverinë e Ramës! BE po shqyrton nga afër si kryeministri shqiptar po trajton rastet e korrupsionit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


