Zhvillimet e fundit dhe masa e sigurisë e caktuar ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, kanë nxitur reagime të ashpra në ditën e 114-të të protestës qytetare përpara godinës së Kryeministrisë.
Nga foltorja e protestës, një prej aktivistëve denoncoi goditjen e rëndë që i është bërë bërthamës së inteligjencës shqiptare, duke ngritur alarmin për komprometim të sigurisë kombëtare dhe cenoje të interesave të vendit përballë faktorëve të jashtëm.
“SHISH është komprometuar dhe kur një institucion preket nga një rrugaç, imagjino çfarë kanë bërë forcat e huaja që të depërtojnë në këtë institucion!” deklaroi protestuesi para të pranishmëve.
Më tej, protestuesi goditi paqëndrueshmërinë dhe mosveprimin e institucioneve më të larta të shtetit, përfshirë Presidencën dhe Kuvendin e Shqipërisë, të cilët sipas tij po mbajnë një qëndrim pasiv përballë një skandali të përmasave të tilla.
“SHISH është për të mbrojtur sigurinë kombëtare, por kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, presidenti qesharak i Republikës së Shqipërisë nuk e mbledh Këshillin! Ne do të jemi këtu deri në largimin përfundimtar të këtij kryeministri të korruptuar!”
Në përmbyllje, aktivisti nënvizoi se klasa politike parlamentare ka humbur çdo lidhje me përfaqësimin e qytetarëve, duke zgjedhur të heshtë në vend që të kërkojë llogari urgjente.
“Deputetët e parlamentit që duhet të përfaqësonin vullnetin e sovranit duhet të ishin të alarmuar dhe të flisnin, por ata nuk na përfaqësojnë, ndaj nuk flasin,” përfundoi ai nga sheshi përballë Kryeministrisë.
The post Skandali me Vlora Hysenin, protestuesi para Kryeministrisë: SHISH është komprometuar! Presidenti nuk mbledh Këshillin e Sigurisë, deputetët heshtin! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


