Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka mbërritur në Gjykatën Administrative për seancën ku do të shqyrtohet padia e tij kundër emërimit të Prokurorit Ols Dado.
Seanca nuk do të transmetohet live. Gjykata thekson se vendimi i gjyqtarit Hazbi Balliu për të mos lejuar transmetimin e seancës live është marrë më 8 maj dhe mbetet ende në fuqi.
Kamerat do të jenë sallë vetëm kur të jepen vendime të ndërmjetme ose përfundimtare, dhe nuk u lejua as transmetimi i pjesës teknike në nisje të gjyqit.
Padia e Veliajt
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj depozitoi më 23 janar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.
Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.
“Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret në kundërshtim të hapur me dispozitat urdhëruese procedurale të ligjit nr. 8737, duke realizuar një emërim pa bazë ligjore dhe në mungesë të kompetencës materiale ratione personae për të emëruar një subjekt që nuk përmbushte kriteret e ligjit. Ky fakt përbën një shkelje flagrante të rendit juridik dhe një rast tipik të pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, në kuptim të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi: (i) akti është nxjerrë në kundërshtim flagrant me normat urdhëruese të ligjit; (ii) personi i emëruar nuk plotësonte kushtet e përgjithshme dhe të posaçme ligjore; dhe (iii) organi publik ka ushtruar kompetencën e tij për emërim në shkelje të kushteve procedurale të vlefshmërisë së aktit, duke e bërë dekretin juridikisht të paefektshëm dhe nul abinitio”, thuhet në kërkesë padi.
The post VIDEO/ Padia për emërimin e Prokurorit që e hetoi, Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative! Nuk lejohet transmetimi live i seancës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

