Ndotja e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar është një incident serioz i cili drejtpërdrejt e rrezikoi shëndetin e mijëra qytetarëve. Kështu theksoi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, Muhamet Hoxha. Lidhur me projektin për stacionin e filtrimit te burimi i Vrutokut, Hoxha shpjegoi se projekti filloi në vitin 2011 dhe përfundoi në vitin 2014. Pas përfundimit, bëri me dije ai, iu dorëzua për menaxhim Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, e cila vepron në kuadër të Komunës së Gostivarit.
Niveli i parë i përgjegjësisë në raste të tilla sipas Hoxhës, janë komunat.
Muhamet Hoxha, ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
“Furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e sistemeve të ujësjellësit, grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza, janë kompetencë e komunave dhe e ndërmarrjeve publike komunale. Pushteti lokal janë linja e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për vendosjen dhe mbrojtjen e zonave sanitare mbrojtëse rreth burimimi të ujit”.
Edhe drejtoresha e Inspektoratit për Mjedis Jetësor Ivana Ginovska, fajin e hedh te komuna. Drejtoresha Ivana Ginovska njofton se inspektimi i tyre tregoi se lidhja e paligjshme ndodhej 800-900 metra larg tubacionit kryesor që furnizon komunën me ujë të pijshëm, dhe u përcaktua se uji po merrej nga një masë uji që graviton në një kanal të hapur dhe nuk përmban leje që Ministria e Mjedisit i ka dhënë ndërmarrjes komunale të Gostivarit.
Ivana Ginovska, drejtoresh e Inspektoratit për Mjedis Jetësor
“Sipas lejes së lëshuar nga Ministria e Mjedisit, për çdo ndryshim që kompania publike e shërbimeve Gostivar ose ndonjë kompani publike e shërbimeve planifikon të bëjë, së pari duhet të paraqesë një kërkesë në Administratën Mjedisore, Sektorin e Ujërave. Ata duhet ta shqyrtojnë atë dhe të japin miratimin ose refuzimin, sepse ky është një tubacion që shërben për ujë të pijshëm, apo jo? Këtu duhet të bëhet fjalë për kushte të jashtëzakonshme sanitare. Një kërkesë e tillë, te ne në Ministri, nuk është marrë deri më sot”
Se pompat kanë qenë të vendosura ilegalisht e tha edhe drejtori i Agjensisë së Ushqimit të Veterinarisë. Oliver Millanov njoftoi se rezultati i fundit i Qendrës së Shëndetit Publik Gostivar, të bërë më 29 qershor, ka qenë se “Uji është e sigurt për përdorim”.
Oliver Millanov, drejtor i Agjencisë së Ushqimit të Veterinarisë
“Sipas marrëveshjes midis Qendrës së Shëndetit Publik dhe Ndërmarrjes Publike ‘Komunalec’, mostrat merren një herë në muaj nga tetë pika matëse. Herën e fundit që ne, si Agjenci e Ushqimit dhe Veterinarisë, morëm rezultat nga Qendra e Shëndetit Publik Gostivar, ishte më 13 korrik dhe uji ishte i sigurt”.
Ai bërë me dije se ndalesa që e kanë bërë më 17 korrik për konsumim të ujit në Gostivar vazhdon të mbetet aktive. Kurse paralajmëroi të gjithë operatorët e ushqimit që nuk e respektojnë këtë ndalesë, se do të sanksionohen.
Emine Ismaili /SHENJA/



