Situata në Gostivar po qetësohet, megjithatë uji vazhdon të mbetet i ndaluar për pije. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, njoftoi se ka ulje të trendit të numrit të personave të sëmurë, prandaj po punojnë në planin e kthimit të rrjetit të ujësjellësit në përdorim.
Sasho Klekovksi, ministër i Shëndetësisë
“Kjo do të përfshijë kontrolle të vazhdueshme të cilësisë së ujit në pikat e daljes në qytet, siç janë spitali, kopshtet, objektet fetare, çezmat publike, dhe planifikimi do të fillojë. Komiteti i Menaxhimit të Krizave do të takohet sot për të miratuar planet për të cilat u ra dakord dje dhe sot për rikthimin në funksion të furnizimit me ujë”.
Në pyetjen për kontrollin e ujit në të gjitha qytetet, ministri theksoi se përgjegjësia është e ndërmarrjeve publike, megjithëse, siç tha ai, situata aktuale do të shqyrtohet nga autoritetet shëndetësore.
Sasho Klekovksi, ministër i Shëndetësisë
“Zgjidhjet janë të ndryshme në qytete të ndryshme. ‘Ujësjellësi dhe Kanalizimet’ – Shkup ka laboratorin e vet dhe mendoj se ata janë më kompetent në testimin e furnizimit me ujë të Shkupit. Ne do të inspektojmë aty ku është e nevojshme, por kjo duhet të bëhet me organe të tjera që nuk janë nga sektori i shëndetësisë për shkak të shpërndarjes së përgjegjësisë për kontrollin e ujit”.
Ministri Klekovski refuzoi të komentojë faktet se Qendra Qendrore Shëndetësore e Tetovës raportoi se uji nuk ishte i ndotur gjatë periudhës kur pompat në Gostivar ishin në funksion, duke përsëritur se kanë dërguar kërkesë zyrtare në Qendër për të gjitha mostrat e ujit të marra këtë vit me vendndodhjet e sakta.
Ai theksoi se uji i pijshëm do të lëshohet në përdorim vetëm atëherë kur të jetë absolutisht i sigurt për pije, dhe u bëri apel qytetarëve që të vazhdojnë me rreptësi t’i përmbahen rekomandimeve të institucionet shëndetësore, për mos përdorimin e ujit.
Qeveria ka shpallur gjendje krize 30 ditore në Gostivar, përshkak se analizat treguan se uji është i ndotur dhe nuk mund të përdoret për asnjë përdorim.
Emine Ismaili /SHENJA/



