Rruga jonë drejt BE-së, për fat të keq, është e mbushur me bllokada joparimore, për shkak të të cilave vihet në pikëpyetje integriteti i vetë procesit, ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni. Ai tha se, shteti nuk ka më hapësirë për lëshime në çështjet e identitetit dhe nëse proceset bilaterale janë ato që duhet ta gjykojnë rrugën evropiane të vendit, atëherë do të bëjnë përpjekje në një mënyrë tjetër,
Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut
“Së bashku me Kroacinë e morëm statusin e vendit kandidat, madje besoj se ne edhe disa muaj më herët. Së bashku me Kroacinë, nga ana e KE-së në vitin 2009 morëm raportin e parë pozitiv për të filluar negociatat. Fatkeqësisht, rruga jonë mori një drejtim tjetër, përkatësisht integrimi ynë në BE u shndërrua në bilateralizim të atij procesi. Më të rëndësishme u bënë çështjet bilaterale sesa kriteret e Kopenhagës, gjë që krijoi shumë frustrime tek ne si qytetarë maqedonas, sepse vlerësojmë se prej kohësh e kemi merituar vendin tonë në kuadër të asaj familjeje”.
Ndërkaq, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, tha se Kroacia mbetet mbështetëse e fortë dhe e vazhdueshme e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Ai vlerësoi se situata aktuale është e padrejtë dhe shprehu gatishmërinë e Zagrebit për të ndihmuar në zhbllokimin e procesit dhe për ta çuar Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit në BE.
Andrej Plenkoviq, kryeministër i Kroacisë
“Ju kemi mbështetur që nga dita e parë. Më kujtohet fillimi i viteve 2000, kur Kroacia ishte një hap pas jush. Sot jemi tashmë 13 vjet anëtare e Bashkimit Evropian. Nuk ka shembull më të mirë se sa e padrejtë është situata aktuale dhe sa e rëndësishme është që proceset të zhbllokohen dhe të ndërmerren hapa kyç drejt anëtarësimit. Kroacia do të vazhdojë të ndihmojë në atë proces, si pjesë e natyrshme e marrëdhënieve mes dy vendeve, nga aleanca në NATO, si dhe reformat që po zbaton Maqedonia e Veriut”.
Kujtojmë se kancelari gjerman Friedrich Merz, në një letër drejtuar së fundmi liderëve të Bashkimit Evropian, bëri thirrje për zgjidhje inovative për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, duke vendosur fokus të veçantë te Ukraine, por edhe te vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldova.
Teuta Buçi /SHENJA/

