Paralajmërimi i BDI-së opozitare për bojkotim të zgjedhjeve lokale është pasqyrë e frikës dhe panikës e cila, siç tha, shihet nga komentet e anëtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar deklaratën e mbrëmshme të nënkryetarit të BDI-së. Bujar Osmani. Osmani mbrëmë gjatë emisionit “Daily click” tha se, nëse nuk kthehet “balancuesi” dhe nëse me vendimin e Gjykatës Kushtetuese rrezikohet përdorimi i gjuhës shqipe, vendin e pret një krizë e thellë politike dhe se në kushte të tilla, nuk do të ketë as zgjedhje lokale. Mickoski tha se me këtë, Osmani ndërhyn drejtpërdrejt në sistemin gjyqësor, që siç tha, është në kundërshtim me vlerat demokratike.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“E dëgjova deklaratën e Bujar Osmanit dhe supozoj se është dhënë në koordinim me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, pasi nëse nuk është e koordinuar, atëherë supozoj se Ahmeti e ka qortuar Osmanin për shkak të deklaratës, sepse shkakton dëm të pandreqshme me atë deklaratë. E para, ndërhyn në sistemin gjyqësor në shtet. Kjo është në kundërshtim me çfarëdo lloj demokracie që njeh njerëzimi bashkëkohor, dhe aq më pak vlerat evropiane demokratike. Njeriu që negocionte dhe shiste identitetin tim maqedonas dhe gjuhën time maqedonase ka më së paku kredibilitet që të flet. Sepse, nëse nuk më respekton, atëherë nuk e respekton as gjuhën e vet amtare shqipe”.
Ndërkaq, i pyetur nëse ka takuar ish kryeministrin, Nikolla Gruevski gjatë qëndrimit në Budapest, Mickoski mohoi një gjë të tillë dhe tha se, në rast se takohet do të njoftojë opinionin.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Për hir të së vërtetës, mund të konfirmoj, shumë shpejt edhe me dëshmi, se një pjesë e madhe nga funksionarët e ish koalicionit qeveritar LSDM-BDI janë takuar në Budapest me zotërin Gruevski për të cilin nuk dhanë përgjigje të sinqertë. Nëse unë do të takohesha, do të jepja përgjgije të sinqertë”.
Kujtojmë se, më 3 dhe 4 mars u mbajt samiti i qeverive të Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të këtij samiti, u mbajt edhe një seancë qeveritare si një një takim biltateral mes kryeministrave të dy vendeve. Mickoski pas takimit njoftoi se, është diskutuar për çështje kyçe me interes të përbashkët, për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimet, energjetikën, infrastrukturën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë.
Teuta Buçi /SHENJA/