Njëri ndër kryetarët e sapo zgjedhur të partisë VLEN, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se bashkimi i këtij koalicioni ka ardhur në momentin e duhur. Ai në emision “Debat në Shenja”, theksoi se modeli i udhëheqjes me dy kryetarë në kuadër të VLEN-it ka sjellë një frymë të re demokratike në vend.
IZET MEXHITI, KRYETAR I VLEN-IT
“Bashkimi i VLEN-it vjen në kohën e duhur. Nuk është as i sforcuar as i vonuar. Për shkak se nuk është e lehtë që të bashkohen subjekte që në të kaluarën ndoshta në drejtime të kundërta, ndoshta edhe kundërshtar politik. Mirëpo kemi dëshmuar që dijmë ta lexojmë votuesin shqiptar. Dijmë ta lexojmë votuesin shqiptar. Fillomisht duke u bashkuar si opozita shqiptarë dhe më pas mundësoj ndryshimin dhe thyerjen e monopolit”.
Mexhiti në këtë emision gjithashtu foli edhe për prioritetet dhe orientimin politik të kësaj partie të re. Sipas tij, ndryshime rrënjësore në mes të mandatit nuk janë të mundshme, por thelbësor mbetet orientimi politik i VLEN-it.
IZET MEXHITI, KRYETAR I VLEN-IT
“Mendoj se në mes të mandatit nuk mund të ndryshojmë radikalisht. Ajo që ka ndryshuar mund të quhet orientimi. Është një parti e qendrës së djathtë, që në fillim nuk ka qenë e definuar qartë, pasi ka qenë e përbërë nga disa subjekte me dallime konceptuale. Së dyti, mendoj se VLEN me një zë do të jetë më shumë faktor në proceset brenda vendit dhe në rajon. Pres që të dinamizohet realizimi i programit dhe synimeve të VLEN-it”.
Duke komentuar kongresin e partisë që u mbajtë të shtunën më 9 maj, kreu i VLEN-it, vlerësoi si zhvillim të rëndësishëm pjesëmarrjen e kryeministrit të vendit , Hristijan Mickoski, në një kongres të partive shqiptare. Sipas tij, kjo është hera e parë që një kryeministër merr pjesë në një aktivitet të tillë politik të partive shqiptare.
Samir Mustafa /SHENJA/


