Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i pyetur se çfarë ndryshime ka tani me koalicionin “VLEN” në pushtet në krahasim me pushtetin e BDI-së, tha se ndryshimi nga më parë është se tani ofrohen kuadro pa hipoteka dhe bagazh politik. “Ne kur bëjmë një gabim, që është i natyrshëm në politikë dhe në jetë, kemi guximin ta pranojmë dhe të përmirësohemi, por nuk bëhet fjalë për gabime thelbësore dhe strategjike”, tha Mexhiti për “Zërin e Amerikës”.
IZET MEXHITI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR
“Bëhet fjalë për një koalicion të ri të përbërë nga katër subjekte dhe atë të vetëm një viti më parë, që në thelb është një revolucion në skenën politike në Maqedoni. Pra, na duhet edhe pak kohë për t’u njohur dhe për të funksionuar nën ombrellën e “VLENIT”. Dallimi është se kuadrot e reja ofrohen pa hipotekë, pa bagazh dhe mendoj se Maqedonia ka një fillim të ri”.
Mexhiti tha se qeveria ka bashkëpunëtorë të cilët nuk bartin hipoteka nga e kaluara por janë të gatshëm të ballafaqohen me korrupsionin dhe të angazhohen për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
IZET MEXHITI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR
“Është mirë për proceset demokratike që ka ndryshime në kampusin shqiptar sepse për një kohë të gjatë ka pasur një parti të fortë politike që ka qenë në pushtet për më shumë se 20 vjet, gjë që nuk është karakteristikë e shteteve demokratike dhe ka pasur një opozitë të ndarë. Tani në kampusin shqiptar janë dy blloqe dhe konkurrojnë në ide, në programe, në platforma, nga të cilat përfitojnë edhe shqiptarët, por edhe i gjithë vendi, sepse gara do të kontribuojë në një standard më të mirë, arsim më të mirë, shëndet më të mirë edhe në kampusin shqiptar”.
I pyetur nëse si koalicion synojnë t’i bëjnë presion VMRO-DPMNE-së për zhbllokimin e procesit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Mexhiti thotë se po punojnë me ta dhe me partnerë strategjikë për ta përshpejtuar këtë proces, i cili, siç tha, është në interes të të gjithë qytetarëve. Medina Ajeti Ali /SHENJA/