Qyteti i Shkupit ka miratuar rishikimin e buxhetit, me të cilin buxheti rritet për 61,76 milionë denarë dhe arrin në mbi 5,3 miliardë denarë, raporton SHENJA.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se me rishikimin janë paraparë projekte të reja, mes tyre ndërtimi i një ure dhe rruge që do të lidhin Gjorgje Petrovin me Sarajin dhe do të krijojnë një hyrje të re në Shkup. Për projektin janë paraparë 420 milionë denarë.
Janë siguruar gjithashtu 61 milionë denarë për Shkupin 2028 – Kryeqytetin Evropian të Kulturës, mjete shtesë për pacientët onkologjikë, si dhe 25 milionë denarë për rikonstruksionin e rrugëve më të vogla dhe 10 milionë denarë për pastrimin e deponive.
Gjorgjievski tha se gjatë nëntë muajve të fundit detyrimet e qytetit, ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të tjera janë ulur për 60,2 milionë euro.
Sipas tij, paralelisht me shlyerjen e borxheve, Shkupi ka rritur edhe investimet kapitale, ndërsa për tremujorin e tretë paralajmërohet realizim edhe më i madh i projekteve. /SHENJA/



