Ndonëse dje u tha se finalizimi i Korridorit 8 dhe 10 do të vonohet dhe se i njëjti, nuk do të përfundojë në kohë, për rëndësinë e Korridorit8 dhe ndikimin që ky projekt ka në zhvillimin ekonomik të rajonit u diskutua edhe sot në Forumin Rajonal të Bizneseve, “Përtej Kufijve”, të mbajtur në Shkup, ku morën pjesë përfaqësues politik po edhe të bizneseve nga Maqedonia dhe Shqipëria.
Ambasadori i Shqipërisë në RMV, Denion Meidani, theksoi se Korridori 8 përfaqëson një nga akset më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, duke lidhur tregjet dhe duke afruar ekonomikisht dy vendet.
Sipas Meidanit, zhvillimi nuk është çështje fati, por zgjedhjeje politike dhe ekonomike, ndërsa sfida kryesore e rajonit mbetet ndërtimi i më shumë ndërvarësie ekonomike, lidhjeve infrastrukturore dhe bashkëpunimit real mes vendeve.
DENION MEJDANI – AMBASADOR I SHQIPËRISË NË RMV
‘’Korridori VIII është një projekt strategjik. Është linja që lidh Adriatikun me Detin e Zi. Është rruga që bashkon tregjet, shkurton distancat, rrit sigurinë dhe i vendos vendet tona në zemër të një arkitekture të re ekonomike evropiane. Në politikë shpesh flitet për miqësi. Në ekonomi, miqësia provohet me projekte. Dhe Korridori VIII është një nga ato projekte që mund ta kthejë fqinjësinë në partneritet, dhe partneritetin në fuqi zhvillimi. Dhe pikërisht kjo është sfida e rajonit tonë sot: të ndërtojmë më shumë ndërvarësi ekonomike, më shumë lidhje infrastrukturore dhe më shumë bashkëpunim real mes vendeve tona’’.
Për rëndësinë e korridoreve foli edhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, i cili siguroi bizneset se ndërtimi i Korridorit 8 asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje dhe se projekti do të realizohet pavarësisht sfidave që mund të paraqiten gjatë procesit.
Nikolloski pranoi se për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve nevojitet ndërlidhje më e mirë infrastrukturore dhe investime konkrete në rrugë dhe korridore moderne.
ALEKSANDAR NIKOLLOVSKI – ZV.KRYEMINISTËR
‘’Maqedonia aktualisht po investon, nuk po them do të investojë, por them që po investon 2 miliard e 100 milion euro, në zhvillimin e infrastrukturës rrugore të Korridorit 8. Autostrada nga Kërçova për në Ohër do të kushtoj rreth 800 milion euro. Nga Struga deri në Qafë Thanë, pavarësisht trasesë të cilën do ta zgjedhim e që do të jetë në bashkëpunim me UNESCO-n, nuk është pyetja nëse do të bëhet, por si dhe nga cila trase do të kushtojë rreth 250 milion euro. Për më tepër në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Bankën Europiane për Zhvillim jemi në fazën përfundimtare për të bërë zgjidhjen finale për autostradë nga Kërçova deri në Bukojçan, e cila do të kushtoj afërsith 220 milion euro’’.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, kritikoi mungesën e bashkëpunimit më të madh ekonomik. Në fokus të forumit ishin investimet, infrastruktura dhe turizmi, ndërsa organizatorë ishin Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e Shqipërisë.
MEvludin Imeri /SHENJA/


