Gjykata do ta kumtojë vendimin gjyqësor për rasin “Kumanova” më 17 tetor, dy ditë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Gjykatësja Verka Petrovska tha se i duhet kjo kohë prej njëzetë ditësh për vendimarrje pasi ka një material tejet voluminoz dhe deklarata të shumta të cilat duhet ti rishikojë, në mënyrë që të marrë vendimin e duhur.
Gjatë seancës së sotshme, dëshmuan katër prej të akuzuarve të fundit për logjistikë. Besnik Bajrami, Ebib Aliji, Ibrahim Murtezi dhe Seabudin Abdullai, të cilët i kërkuan llogari prokurisë se në bazë të çfarë provave e kanë gjetur lidhshmërinë e tyre me grupin. Seadudin Abdullai ironizoi me akuzën së e ka transportuar grupin dhe kujtoi momentin e rrëfyer nga të akuzuarit se kanë qenë të transportuar me makinë të ndihmës së shpejtë, e asi lloj makine ai thotë se nuk ka.
Seadudin Abdullai, i akuzuar
“Të gjithë e dinë për mua se jam taksist. Nëse kam qenë në Lagjene Trimave ose nëse kam vozitur dikë prej grupit, vetë do të nënshkruaj dënimin me burg të përjetshëm. 36 veta prej këtu ju thanë se unë nuk kam lidhje me to. Unë nuk kam ambulancë private e as kombi”
75 vjeçari dhe ish luftëtari i UÇK-së Ebip Aliji, ishte i vetmi i cili nuk tha asnjë fjalë shtesë si përfundim. Lodhja nga procesi gjyqësor dhe nga akuzat i dukej në zërin dhe fytyrën e tij. Iu bashkangjit mbrojtjes së avokatit Xvonko Jocevski i cili tha se Aliji nuk ka asnjë lidhje me grupin, dhe nuk ka prova që dëshmojnë se ai ka bërë çfarëdo lloj aktiviteti.
Xvonko Jocevski, avokat
“Ebip Aliji nuk ka patur mundësi në asnjë mënyrë nuk ka mundur të gjejë armatim, dhe as nuk e ka ditur se ka ardhur ndonjë grup i tillë në Maqedoni…I akuzuari Ragmi Latifi ka ardhur tek oborri i tij dhe ia ka dhënë telefonin e vet, për të folur me Qenan Isenin, Ebipi as që ka qenë nën hetime, dhe flasin për ndonjë armatim të vitit 2001 për të cilën Ebip Aliji gjoja ka patur njohuri pasi ka qenë në grupin e cila pas konfliktit të vitit 2001 ka ndihmuar në heqjen e minave”
Avokati Naser Raufi rikujton se nga fjalimet përfundimtare të thuajse të gjithë të akuzuarve, dolën shumë emra politikanësh që janë të përfshirë në inskenimin e rastit por refuzimi për ti thirrur ata si dëshmitarë është një zmbrapsje nga drejtësia e plotë.
Naser Raufi, avokat
“Nuk kanë treguar se kush i ka thirrur por kanë përmendur emra edhe të politikanëve edhe të shumë personave të tjerë të jetës publike, por nuk treguan saktë se kush ju ka thënë të vijnë…Nuk presim ndonjë aktgjykim korrekt dhe fer. Vetëm hetimi ndërkombëtar mund ta zbardhë këtë rast, jo vetëm këtë rast por çdo rast të montuar”
Ekipi logjistik i cili iu bashkangjit gjykimit disa muaj pasi kishte nisur, është kryesisht i përbërë nga ish ushtarë të UÇK-së të cilët kanë patur kontakte ose shoqëri me pjesëtarët e parë të grupi të armatosur. Nga seancat e para gjyqësore e deri më tani, vërehet ndryshimi i madh fizik tek të akuzuarit, por edhe zbutja e tonit që fillimisht e përdornin për denoncime të montimeve të ndryshme.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

