LSDM ka paralajmëruar riaktualizim të ligjit për “branitellat”. Lideri i kësaj partie, Venko Filipçe në konferencën e sotme për media tha se partia që ai drejton nuk dorëhiqet nga ky ligj dhe se, sapo të vjen rasti i radhës do të kërkojnë të shqyrtohet në komisionin amë parlamentar. Në lidhje me bllokadat e deritanishme të ligjit, Filipçe tha se, problem kryesor janë standardet e dyfishta të kryeparlamentarit Afrim Gashi, për të cilin thotë se, partia ende po mendohet se a do të dorëzojë interpelancë.
Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së
“Kur kryetarja e atëhershëm caktoi seancën e Komisionit dhe nuk e futi në rend dite pikën e ligjit për branitellat, ne ju drejtuar me shkrim kryetarit Gashi dhe ai na njoftoi se kur seanca është veç më e cakltuar, ai nuk të drejtë të ndërhyjë dhe të ngarkojë një deputet tjetër për të mbajtur këtë seancë”.
Filipçe tha se, nuk ka pasur kontakt me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe mohoi akuzat e VMRO-DMPNE-së.
Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së
“Ata duhet të tregojnë se pse e kanë lëshuar Grubin përmes kufirit, nëse duan me të vërtetë të përmbushet drejtësia. Ne i shprehim qartë qëndrimet tona të tanishme në lidhje me koalicionin e BDI-së”.
Kujtojmë se, partitë politike shqiptare janë shprehur kundër ligjit për “branitellat”, pasi që i njëjti nuk përfshin edhe ish pjesëtarët e UÇK-së. Komisioni parlamentar që duhej të shqyrtonte këtë ligj, deri një javë më parë udhëhiqej nga deputetja opozitare shqiptare, Ilire Dauti. Por, për shkak të rezistencës së saj, që të vendos këtë ligj në rend dite, deputetët më 10 janar, kaluan me shumicë të thjeshtë interpelancën kundër saj, të inicuar nga Levica. Pas kësaj, Dauti dorëzoi dorëheqjen e saj nga pozita e kryetarit të komisionit, ndërsa Fronti Evropian njoftoi se nuk do të dorëzojnë kandidat tjetër.
Teuta Buçi /SHENJA/