Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti nga samiti i tretë i Diasporës që po mbahet në Tiranë, duke folur për rrugën e përbashkët europiane, bëri thirrje për bashkëpunim mes shqiptarëve. Gjatë fjalës së tij Ahmeti i dha mesazh të qartë Ramës, që të ngrenë edhe më shumë zërin sa i takon çështjes së integrimit, duke shtuar se vendet e tjera si Kosovën, Maqedoninë е Veriut dhe Malin e Zi i ka përkrahë.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Luftërat i fituam, edhe politikisht edhe ushtarakisht, dhe diplomatikisht. Sot kemi një luftë të re dhe më të fortë. Të bëjmë të begatë atdheun tonë, të organizohemi edhe më shumë. Këtë mundësi e ka mërgata. Të gjithë të rinjtë le të kapin diturinë në universitetet më të mira të Europës dhe Amerikës dhe t’i kthehen kokëplotë atdheut të tyre. Sot me dituri e mençuri ne vendet tona mund t’i kemi vende të BE, ashtu siç jemi në NATO. Edhe Europa nuk mund të jetë e qetë pa Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën Malin e Zi”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se shqiptarët kanë lënë gjurmë nëpër botë me aftësitë, njohuritë dhe kontributin e tyre në fusha të ndryshme. Osmani duke iu referuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës tha se ata po ballafaqohen me diskriminim sistematik dhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative.
VJOSA OSMANI, PRESIDENTE E KOSOVËS
“Mos të harrojmë se vëllezërit tonë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc ende po përballen me diskriminim sistеmatik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative.Si gjithnjë u themi edhe sot, ju nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi bashkë me ju me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Prandaj edhe në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një. Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohërave sfiduese ata ishin dhe janë ambassador të kulturës tonë, avokatë dhe avokues të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama theksoi se sot shqiptarët janë në pozita që nuk kanë qenë asnjëherë më parë në të gjitha vendet ku jetojnë në rajon. Sipas tij, shqiptarët janë në rrugën e duhur për t’u ngjitur në majën ku do i lejojë të shkruajnë fjalët e tyre në historinë e botës.
EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Si sot shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë më parë peshën e tyre jo vetëm për të marrë vendimet që dëshirojnë aty ku janë, qofshin në Republika si Shqipëria dhe si Kosova, qofshin në shtet ku janë popullsi shtetformuese, qoftë minoritete dhe si kurrë më parë faktet nuk kanë folur dhe flasin sot në mënyrë inkurajuese për të ushqyer besimin që kemi ende për të bërë për t’u ngjitur në majën ku do të shkruhet fjala jonë në historinë e botës”.
“Kemi një strategji e qëllim, për të fituar. Së bashku, asnjë objektiv s’është i paarritshëm, asnjë ëndërr nuk është e pamundur nëse jemi të vendosur ta realizojmë”, iu drejtua Rama të gjithë shqiptarëve. Samir Mustafa /SHENJA/