“Në prag të një krize të re të procesit eurointegrues të vendit, qeveria e Mickoskit po përforcon bashkëpunimit ekonomik dhe politik me qeverinë e Orbanit. Dy kabinetet qeveritare u takuan sot në Ohër, për të dakorduar këtë bashkëpunim. Mickoski tha se, do të ketë bashkëpunim edhe në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa Orbani i ofroi Maqedonisë ndihmë në procesin eurointegrues. Mbetet të shihet se si do të ndihmojë Orbani Maqedoninë të luftojë korrupsionin, kur vet qeveria e tij ka qenë e përfshirë në disa skandale të korrupsionit”
Vendimi i BE-së për të ndarë Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria në hapjen e kapitujve për anëtarësim është një gabim historik që ka bërë BE, ka vlerësuar kryeministri hungarez Viktor Orba, i cili po qëndron në vizitë dy ditore në vend. Ai tha se, BE me këtë hap ka shkelur krenarinë nacionale të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Madje, kryeministri hungarez ka thënë se është i gatshëm që të ndërmjetësoj në arritjen e një marrëveshje me Bullgarinë.
Viktor Orban, Kryeministër i Hungarisë
“Ndalesa tjetër për Maqedoninë e Veriut për të vazhduar rrugën e saj evropiane është arritja e një marrëveshjeje me Bullgarinë. Unë kam një propozim për këtë dhe ia kam përcjellë kryeministrit Mickoski. Gjithashtu propozova që ne si kryesues i BE-së të jemi ndërmjetës në këtë proces. A do të pranojnë palët Hungarinë si ndërmjetës, është punë e tyre. Ne duam të ndërmjetësojmë për të gjetur një zgjidhje që i përshtatet të dyja palëve”.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski porositi se, vendi nuk duhet të humbas shpresat dhe të dëshpërohet. Ai shprehi keqardhje për situatën e krijuar me eurointegrimet dhe tha se,ndjen keqardhje që duhet të jemi viktimë e çështjeve bilaterale dhe jo të së kritereve të Kopenhagës.
Hristijan Mickoski, Kryeminsitër i RMV-së
“Por ne do të vazhdojmë të punojmë fort, do të vazhdojmë të zgjidhim këtu problemet, të cilat duhet të pranoj se janë shumë të mëdha në numër dhe që i kemi trashëguar nga qeveria e kaluar.
Është mirë që kemi miq në BE, është mirë që ata miq duan të përhapin zërin tonë në BE, një nga miqtë dhe mbështetësit tanë është kryeministri Orban. Ajo që po ndodh këto dy ditë në Ohër është simbol i miqësisë dhe mbështetjes që kemi. I uroj Qeverisë së Shqipërisë gjithë të mirat, i uroj që të përfundojnë negociatat shumë shpejt dhe të bëhen pjesë e BE-së. Shpresoj që një ditë edhe ne të jemi pjesë e asaj familjeje dhe të ulemi në atë tryezë”.
Kabinetet qeveritare të Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut, zhvilluan edhe një seancë qeveritare ku u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin ekonomik por edhe politik, duke vendosur theksin në procesin eurointegrues. Kryeministri hungarez kujtoi ndihmën që Hungaria i dërgoi vendit këtë verë në luftën kundër zjarreve, por gjithashtu falënderoi Maqedoninë për ndihmën e vitit 2015 në lidhje me krizën e migrantëve, kur Hungaria, sipas Orbanit, u ndërgjegjësua për rëndësinë vendimtare të Maqedonia e Veriut për sigurinë e shtetit hungarez.
Teuta Buçi /SHENJA/