Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në mbledhjen e nesërme të qeverive të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, duhet të trajtohet çështja e të drejtave themelore të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe. Krasniqi po ashtu ka thënë se një çështje tjetër që duhet patjetër të trajtohet të hënën në mbledhjen e dy qeverive është edhe çështja e arrestimit të veteranëve të UÇK-së nga ana e RMV-së.
MEMLI KRASNIQI, KRYETAR I PDK-SË
“Sa i përket takimit me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, janë së paku dy çështje kyçe që duhet të trajtohen seriozisht, e të cilat nuk janë fare në agjendë. Së pari, përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cënon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më”.
Ai ka thënë se çështje tjetër që duhet është trajtimi i të drejtave themelore të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
MEMLI KRASNIQI, KRYETAR I PDK-SË
“Së dyti, të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, duhet të mbrohen me vendosmëri. Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duhet të ngrisin zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cënohet askujt dhe askund. Çdo përpjekje për t’i cenuar këto të drejta duhet të ndalet menjëherë”.
Një ditë më parë edhe kryetari I Bashkimit Demokratik për integrim, Ali Ahmeti kërkoi që qeveria e Kosovës ta ngrejë zërin për gjuhën shqipe gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive që do të mbahet të hënën në Prishtinë.
Sipas paralajmërimeve në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës që do të mbahet të hënën paradite pritet të nënshkruhen tri marrëveshje. Protokolli për pika të përbashkëta kufitare në Bllacë-Hani i Elezit dhe Jazhincë-Glloboçicë, Marrëveshje energjetike dhe Memorandum për arsim, shkencë dhe inovacion. /SHENJA/