Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, thotë se gjendja e sigurisë në vend është përmirësuar, duke iu referuar të dhënave për tetë muajt e parë të vitit 2026.
Sipas statistikave të prezantuara prej tij, nga janari deri në gusht janë regjistruar 12 vrasje, krahasuar me 19 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i viktimave ka rënë nga 20 në 12, ndërsa tentativat për vrasje janë ulur për rreth 65 për qind.
Edhe grabitjet janë ulur me rreth 40 për qind, ndërsa vjedhjet e rënda me rreth 30 për qind, krahasuar me vitin 2025.
“Pyetja nëse qytetarët maqedonas janë të sigurt është legjitime. Lirisht mund të them – po, por bëhet fjalë për një çështje komplekse”, deklaroi Toshkovski në një intervistë për MRTV, duke theksuar se gjendja e sigurisë duhet të vlerësohet përmes statistikave dhe të dhënave konkrete.
Hetimi për vrasjen në Çair vazhdon
Sa i përket vrasjes së fundit në Çair, Toshkovski tha se hetimi është ende në zhvillim dhe po shqyrtohen rrethanat që lidhen me një nga dy të dyshuarit, përfshirë edhe arsyen pse ai ishte i lirë në momentin e kryerjes së veprës.
Ministri nuk dha detaje të tjera, duke thënë se pret që të dyshuarit së shpejti të privohen nga liria.
Rritje e rasteve të dhunës në familje dhe drejtimit të pakujdesshëm
Megjithëse shumica e treguesve për krimin e dhunshëm dhe atë ndaj pronës kanë shënuar rënie, disa kategori kanë pasur rritje.
Një prej tyre është dhuna në familje. Sipas Toshkovskit, rritja e rasteve të regjistruara lidhet edhe me faktin se qytetarët janë më të inkurajuar për t’i raportuar këto raste.
Rritje të madhe ka shënuar edhe vepra penale “drejtim i pamatur i automjetit”. Në tetë muajt e parë të vitit janë regjistruar rreth 2.200 raste, rreth shtatë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Toshkovski e lidhi këtë rritje me ndryshimet në Kodin Penal dhe me përdorimin e sistemit “Qyteti i Sigurt”, i cili, sipas tij, ka mundësuar zbulimin më efikas të shkeljeve dhe veprave penale.




