Kërcënimi i Maqedonisë dhe vendeve të tjera nga Ballkani nga terrorizmi dhe ekstremizmi, si dhe parandalimi i terrorizmit, ishin temat ku u fokusuan pjesëmarrësit e konferencës rajonale treditore “Luftëtarë të huaj terroristë: Promovim i parandalimit dhe rezistencës”. Sipas tyre, masat kyçe për ballafaqimin me këto sfida janë përmirësimi i sigurisë kufitare, përforcimi i ligjeve penale dhe kapaciteteve të organeve për ndjekje si dhe gjetur mënyrë për rehabilitim në shoqëri të personave që kthehen nga vendet e krizës. Ambsadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli, në fjalimin e tij u shpreh se parandalimi i terrorizmit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, sepse nuk mjafton vetëm puna e policisë, por e gjithë shoqërisë. Ai gjithashtu tha se duhet të flitet hapur se pse 150 qytetarë të Maqedonisë iu bashkuan ISIS-it në Siri dhe Irak si dhe për ata të cilët do të kthehen në shtëpi.
“Nuk do të ketë zgjidhje përderisa të gjithë të fillojnë të flasin për problemin në mënyrë të sinqertë, të paanshme dhe në mënyrë të drejtpërdrejt. Pikërisht kjo është një nga shtyllat e këtij dialogu, dialog i hapur i bazuar në besim të ndërsjellë për të identifikuar se si mund të punojmë më mirë për të zgjidhur problemin”, deklaroi Xhes Bejli, Ambasador i ShBA-së në Shkup.
Ndërkohë, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, tha se asnjë shtet nuk mundet vet të përballon kërcënimet e radikalizmit dhe për këtë arsye është i nevojshëm bashkëpunimi rajonal.
“Kërcënimi nga luftëtarët e huaj është një shqetësim për të gjitha shtetet e Ballkanit, radikalizim ky që kërcënon stabilitetin e rajonit me polarizime dhe ndarje në rajon, në fushën etnike dhe religjioze, dhe pikërisht nga shkaku i kësaj, nevojitet një bashkëpunim rajonal”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Kjo konferencë është organizuar nga Misioni i OSBE-së dhe ambasada e ShBA-së, ndërsa qëllimi i saj është hulumtimi i çështjeve politike të cilat kanë të bëjnë me rreziqet nga luftëtarët e huaj terroristë të cilët kthehen në vendlindje dhe përgjigjet e vendit dhe të rajonit, bashkë me hapat që lidhen me sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit.
Teuta Buçi /SHENJA/

