Rreth 60 projekte dhe ide të cilat mund të implementohen në rajonet shqiptare i ka prezantuar sot Lumni Ademi , eksperti i kimisë dhe biznesmen. Në një takim të realizuar me kryetarin e Lëvizjes BESA, afaristi Ademi i cili vepron në Zvicër, tha se këto projekte bazohen në prodhimtari dhe qëllimi kryesor është krijimi i vendeve të reja të punës. Ademi tha se realizimi i këtyre projekteve do të mundësohej me mbështetje institucionale në Maqedoni si dhe me mbështetje financiare nga investitorët e huaj.
Realizimi i këtyre projekteve sipas Ademit, do të përfshinte katër sfera, reciklim të mbeturinave, përdorimi i barërave dhe çajrave që ndodhen në Malësinë e Sharrit, prodhim i produkteve të cilat deri më tani vetëm janë importuar në Maqedoni si dhe rritja e konkurencës.
Ia ofrova idenë me afro 60 projekte, të cilat mund të implementohen në të gjitha rajonet shqiptare, kuptohen nëse ato projekte do të kenë mbështetje financiare nga investitorë të ndryshëm. Kuptohet ne do të shkojmë edhe në atë formë ngase i kemi të gjitha mundësitë tona që t’i kontaktojmë të gjithë biznesmenët e Zvicrës dhe në Evropë dhe në këtë mënyrë t’i stimulojmë për t’i konkretizuar këto projekte në Maqedoni ”, deklaroi afaristi Ademi.
Ndërkaq kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se partia që udhëheq ai, është e gatshme që të bashkëpunojë në këto projekte duke shtuar se nëse Lëvizja BESA merr pushtetin lokal, do ta vendosë në lëvizje siç tha ai, këtë makineri e cila potencialin e mërgimtarëve do ta shfrytëzojnë në zhvillim të komunitetit shqiptar.
Ne si Lëvizje BESA, si subjekt politik kemi treguar një gatishmëri që do ta kontaktojmë këtë kuadër dhe që nga momenti kur ne do të kemi edhe qasje në institucione, tani më janë zgjedhjet lokale, ne të kemi mundësinë që të nisim edhe operacionalizimin e këtyre projekteve duke ofruar të gjitha resurset që i ofron pushteti lokal për thithjen e këtyre ideve shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik lokal”, deklaroi Kasami.
Sa i takon kontakteve me biznesmenë, Ademi tha se tanimë ekzistojnë kontakte me rreth 5000 biznesmenë që veprojnë në Zvicër dhe nëpër gjithë Evropën.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Kasami: Do të bashkëpunojmë ngushtë me… by tvshenjaofficial

