Kandidatët për kryetar të PDSH-së, Ardhmërisë Evropiane në koalicion me LSDM-në dhe kandidati i lëvzjes BESA nga Komuna e Studeniçanit mbrëmë në emisionin“Studio e hapur”, shpalosën platformat e tyre për zgjedhjet e 15 tetorit. Kandidati për kryetar i Komunës së Studeniçanit nga radhët e Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi, premtoi ndërtimin e një shkolle të mesme në Komunën e Studeniçanit, por para kësaj ai tha se do të përkushtohen në kushtet e shkollave fillore dhe për departizimin e arsimit dhe ngritjen e cilësisë.
REXHEP MEMEDI, LËVIZJA BESA
“Për fat të keq duhet të filloj se jemi larg komunës, atë që bashkëbiseduesi tha që është komunë urbane. Fatkeqësisht, Komuna e Studeniçanit nuk e plotëson asnjë standard për të qenë komunë urbane”.
Kryetari aktual i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku hodhi poshtë akuzat se shumica e projekteve të asfaltimit të rrugëve janë realizuar pas muajit prill, kur ka përfunduar edhe mandati i kryetarëve të komunave, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve.
AZEM SADIKU, KANDIDAT I PDSH-SË
“Puna duket dhe mund të krahasohemi edhe me komunat urbane, edhe pse e dimë se sa është buxheti dhe sa janë mundësitë. Me punë të palodhshme që kemi bërë kemi arritur që të sigurojmë fonde ndërkombëtare. Në Studeniçan kemi arritur të asfaltojmë 5. 5 km rrugë. Asnjë rrugë nuk ka qenë në gjendje të mirë”.
Ndërsa, Aki Mustafovski nga Ardhmëria Evropiane në Koalicion me LSDM-në tha se kjo komunë është lënë tërësisht pas dore.
AKI MUSTAFOVSKI, LSDM DHE KOALICIONI
“Unë në përgjithësi, edhe nga kryetarët e mëparshëm, mendoj se Studeniçani është lënë pas dore nga një aspekt tjetër. Nuk i ështyë kushtuar vëmendje ujit të pastër për pije, deponive, ambientit jetësor, sepse për ne më e rëndëishme është shëndeti i njerëzve”.
Në emision ka munguar kandidati nga Aleanca për Shqiptarët, i cili nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa, kandidati i BDI-sëi , Fehmi Jonuzi, nuk ka pranuar të marrë pjesë..Siç është praktikë, drejtuesit e emisionit “Studio e hapur”, i kanë bërë pyetje kandidatit që nuk është i pranishëm. Ndërsa Banorët e intervistuar nga Televizioni SHENJA u ankuan për mungesën e infrastrukturës, sidomos rrugët periferike të Komunës së Studeniçanit.

